string(116) "ffk-ende-asnje-reagim-per-skandalin-racist-ndaj-belgin-jasharit-i-cili-u-sulmua-edhe-fizikisht-ne-fushen-e-futbollit"

FFK ende asnjë reagim për skandalin racist ndaj Belgin Jasharit, i cili u sulmua edhe fizikisht në fushën e futbollit!

Sport

Gazeta Express

26/04/2025 0:55

UEFA e FIFA i kushtojnë rëndësi shumë të madhe luftës kundër racizmit në futboll.

Por Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk e ka lëshuar asnjë reagim në lidhje me sulmin racist që ndodhi ditë më parë me futbollistin e ri të Fushë Kosovës U15, Belgin Jashari, i cili madje u sulmua edhe fizikisht në fushën e blertë.

Kurse pas këtij rasti shokues, lojtari nga komuniteti ashkalinj tregoi për “Nacionale” që gjithnjë në futboll përballet me diskriminim dhe fyerje raciste, shkruan Gazeta Express.

Në mbrojtje të futbollistit kanë dalur shumë institucione dhe organizata të ndryshme dhe pati reagime edhe nga shoqëria civile dhe aktivistë të ndryshëm.

Por ajo që do të duhej t’i dilte e para futbollistit të ri – i cili madje e ka shprehur ëndrrën edhe për të luajtur për Kosovën – FFK, ende çuditërisht nuk e ka lëshuar asnjë reagim, ndonëse këto ditë shtëpia e futbollit ka publikuar njoftime të ndryshme, disa nga to kishin të bënin edhe me bashkëmoshatarët e Jasharit, të cilët e përfaqësuan Kosovën në një turne të UEFA-s për grupmoshat U-16 të mbajtur në Shqipëri.

Për këto grupmosha ka shkruar në faqen e tij në Facebook edhe kreu i FFK-së, Agim Ademi, por që ende nuk e ka shkruar asnjë fjalë për rastin e rëndë racist ndaj Belgin Jasharit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, në Klan Kosova, i ka bërë thirrje FFK-së të reagojë.

Kjo nuk është hera e parë që futbolli i Kosovës përballet me skandal raciste, ndërsa FFK kritikohej për neglizhencë në luftë ndaj këtij fenomeni që nuk ka vend në futboll.