Firmat prodhuese kosovare dhe sfidat e zhvillimit të aftësive teknologjike - Gazeta Express
string(74) "firmat-prodhuese-kosovare-dhe-sfidat-e-zhvillimit-te-aftesive-teknologjike"

Firmat prodhuese kosovare dhe sfidat e zhvillimit të aftësive teknologjike

OP/ED

Gazeta Express

17/06/2024 21:14

Krijimi i aftësive teknologjike është një proces kumulativ. Trajektorja e zhvillimit të tyre përcaktohet jo vetëm nga strategjia e kompanisë, por edhe nga mbështetja institucionale e shtetit. Ajo që është thelbësore në këtë fazë të zhvillimit të firmave prodhuese kosovare është ‘të mësojnë si mësohet’; të mësojnë se si të krijojnë institucione dhe sisteme që u mundësojnë të absorbojnë informata dhe të gjenerojnë aftësi produktive. Të dish të përdorësh burime të jashtme informacioni, të punosh me konsulentë, me furnitorë dhe institucione teknologjike, është pasuri që nuk krijohet lehtë dhe shpejt…

Fadil Sahiti

Lexo Edhe:

Mund të mendohet se arsyeja e efikasitetit të ulët të prodhimit në firmat kosovare ka të bëjë me teknologjinë e vjetëruar. Provat empirike sugjerojnë të kundërtën, pasi firmat tona shpesh arrijnë të blejnë dhe përdorin teknologji moderne të prodhimit. Efikasiteti i ulët lidhet më shumë me zhvillimin e ulët të aftësive teknologjike – aftësive teknike, menaxheriale dhe institucionale – të nevojshme për të përdorur në mënyrë efikase pajisjet dhe informacionin teknik. Këto aftësi janë një formë e njohurive institucionale, që krijohen përmes kombinimit të aftësive të fuqisë punëtore të akumuluara me kalimin e kohës. Nuk është lloj i dijes që mund të blihet në treg; kjo dije gjenerohet vetëm brenda firmës. Gjithashtu, aftësitë teknologjike nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht aftësinë për të inovuar, por për aftësi që përmirësojnë efikasitetin e prodhimit.

Janë tre komponentë thelbësorë të këtyre aftësive, të ndërlidhura me njëra-tjetrën, por edhe të ndryshme nga njëra-tjetra: aftësitë e investimeve, të prodhimit dhe të rrjetëzimit të biznesit. Por, cilat janë sfidat e zhvillimit të këtyre aftësive tek firmat kosovare?    

Sfidat e një afaristi kosovar fillojnë në fazën e investimit, kur identifikon projektin fitimprurës, gjetjen e teknologjisë së duhur të prodhimit, projektimin dhe inxhinierinë e prodhimit, deri në fillimin e punës. Për shkak të fragmentimit të tregut të teknologjisë industriale, afaristi kosovar e ka të vështirë të identifikojë dhe zgjedhë teknologjinë që i nevojitet, të gjejë furnizuesin e duhur, të negociojë çmimet dhe kushtet e transferimit të teknologjisë, etj. Shumë nga punët e kësaj faze investimi kryhen nga kontraktorët e huaj, gjë që rrit ndjeshëm koston e projektit. Mbështetja institucionale në zhvillimin e aftësive investuese për afaristët kosovarë është thelbësore. Modelet e suksesit janë kudo, e ai i Koresë së Jugut është një prej tyre.

Aftësitë prodhuese jane me komplekse, variojne nga proceset rutinë deri te inovacioni. Ajo që mund të jetë rutinë për një kompani prodhuese sllovene nuk është e tillë për një kosovare. Për shembull, kontrolli i cilësisë, mirëmbajtja, planifikimi, etj. për një kompani sllovene është një proces rutinë, por jo për një firmë kosovare. Firmat kosovare janë ende larg krijimit të aftësive më komplekse dhe të avancuara prodhuese, të tilla si zhvillimi i produkteve të reja, përshtatja dhe përmirësimi i teknologjisë, apo aftësia për hulumtime dhe zhvillim (R&D). Sot fuqia konkurruese e firmave perëndimore mbështetet pikërisht në inovacion. Në stadin aktual të zhvillimit të aftësive teknologjike në Kosovë, mbështetja institucionale duhet përqëndruar në rritjen e aftesive më rutinore, të tilla si kontrolli i cilësisë, mirëmbajtja, planifikimi, zhvillimi dhe diversifikimi i furnitorëve vendorë, etj.

Krijimi i një rrjeti afarist funksional dhe të qëndrueshëm rrit fuqinë konkurruese të firmave prodhuese. Këtu hyn në aftësia e firmës për të transmetuar dhe marrë informacion nga tregjet e faktorëve, nga firmat tjera dhe nga institucionet e ndryshme. Këto nuk janë transaksione anonime, të njëanshme ose një herërshme. Fatkeqësisht, kultura e rrjetëzimit të bizneseve në mesin e firmave kosovare është në fillimet e saj, ndërsa mbështetja institucionale për zhvillimin e kësaj kulture është thelbësore. Prap, modele të suksesshme ka gjithandej.

Si përfundim, krijimi i aftësive teknologjike është një proces kumulativ. Trajektorja e zhvillimit të tyre përcaktohet jo vetëm nga strategjia e kompanisë, por edhe nga mbështetja institucionale e shtetit. Ajo që është thelbësore në këtë fazë të zhvillimit të firmave prodhuese kosovare është ‘të mësojnë si mësohet’; të mësojnë se si të krijojnë institucione dhe sisteme që u mundësojnë të absorbojnë informata dhe të gjenerojnë aftësi produktive. Të dish të përdorësh burime të jashtme informacioni, të punosh me konsulentë, me furnitorë dhe institucione teknologjike, është pasuri që nuk krijohet lehtë dhe shpejt.

/Autori është profesor i menaxhmentit dhe ndërmarrësisë në Universitetin RIT të Kosovës (AUK). Së fundmi ka botuar: “Industrial Policies for Technological Upgrading in Western Balkan Countries: Economic Growth and Development”, Springer, Palgrave Macmillan, 2024

/Gazeta Express