Fletët e votimit për diasporën kanë mbërritur në Shqipëri për zgjedhjet e 11 majit, pasi u printuan në Slloveni. Procesi i përgatitjes së zarfeve për votuesit jashtë vendit do të nisë të mërkurën, me përfundimin e shpërndarjes deri më 17 prill. Zarfet do t’u dërgohen emigrantëve përmes postës së shpejtë dhe pritet t’u mbërrijnë brenda 1-3 ditësh.I gjithë procesi, përfshirë mbushjen e zarfeve dhe shpërndarjen e tyre, do të monitorohet 24/7 me kamera. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi theksoi se për emigrantët që nuk janë në adresë, postieri do të lërë një shënim për mundësinë e ri-dërgesës. KQZ gjithashtu do të publikojë video orientuese për të ndihmuar votuesit të plotësojnë fletën e votimit saktë.Numri i emigrantëve të regjistruar për votim është 245,808, ndërsa gjithsej 3,713,761 persona kanë të drejtë vote. Votuesit jashtë Shqipërisë duhet të dërgojnë zarfin para datës 11 maj, pasi çdo zarf që mbërrin pas orës 19:00 nuk do të numërohet.