string(85) "flick-shikon-larte-ne-50-ndeshjet-e-para-me-barcelonen-ka-numra-gati-si-te-guardioles"

Flick shikon lartë: në 50 ndeshjet e para me Barcelonën ka numra gati si të Guardiolës

Futboll

Gazeta Express

16/04/2025 15:59

Arrin më në fund një humbje për Barcelonën, e cila mbrëmë ndoshta e pagoi qetësinë dhe rehatinë që e pati pas fitores 4:0 në ndeshjen e parë.

Humbja 1:3 në Gjermani nga Borussia Dortmundi në ndeshjen e kthimit çerekfinale mund t’i bëjë Lamine Yamalin me shokë që të reflektojnë.

Lexo Edhe:

Por, kjo nuk e zbeh impresionizmin e “Blaugrana”, të cilët pas një kohe të gjatë u rikthyen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Hansi Flick është pak mediatik, por ai e bëri një tjetër arritje në karrierën e tij, shkruan “Gazeta Express”.

Ndërkaq, numrat e tij me Barcelonën e demonstrojnë një impakt të cilin pakkush e priste.

Me ndeshjen e mbrëmshme, fituesi i Ligës së Kampionëve në vitin 2021 me Bayern Munichun dhe kampioni i botës me Gjermaninë në vitin 2014, arriti në kuotën e 50 ndeshjeve në bankinën e gjigantit katalunas.

37 fitore, 6 barazim e 7 humbje është bilanci deri këtu, me të cilin ekipi i tij shkoi në gjysmëfinale të Championsit, është i pari në La Liga dhe shkoi në finale të Copa del Rey.

Një fitore kundër Dortmundit do t’ia mundësonte atij ta barazonte Pep Guardiolën e Gerardo Martinon, duke e pasur parasysh se ata i kishin regjistruar 37 fitore, 8 barazime e 5 humbje në 50 ndeshjet e para si trajnerë të Barcelonës.

Trajneri që i kishte statistikat më të mira tek Barcelona në 50 ndeshjet e para në krye të saj ishte Luis Enrqique.

Trajneri aktual i Paris Saint-Germainit i kishte fituar 42 prej 50 ndeshjeve të para në krye të “Blaugrana”.

Flick mbrëmë i kaloi paraardhësit e tij si Rijkaard (28 fitore), Koeman (33 fitore) e Xavi Hernández (28 fitore).

Ernesto Valverde, aktualisht trajner i Athletic Bilbaos, është ai që kishte pësuar më së paku humbje në 50 ndeshjet e para me Barcelonën: vetëm 3. /Gazeta Express