Derisa Kombëtarja e Kosovës në futboll deri më tani ka pasur paraqitje mjaft të mira në arenën ndërkombëtare, madje duke mbetur seriozisht në luftë për kualifikim në “Euro 2020” që është shtyrë për vitin e ardhshëm, brenda kufijve të Kosovës futbolli ynë e ka një pasqyrë tjetër. Gjendja e tij lë shumë për të dëshiruar. Kanë mjaftuar vetëm disa javë pandemie që kriza financiare e klubeve të dal në sipërfaqe, shkruan Gazeta Express.
Nuk janë më shumë sesa katër klube, prej dymbëdhjetë sa i ka Ipko Superliga, që i kanë kryer obligimet financiare mujore ndaj futbollistëve, trajnerëve dhe punonjësve të tjerë të tyre. Pjesa e tjetër e klubeve po kanë probleme të thella, sa që ka nga ato klube që janë minus tri apo edhe katër rroga.
Gazeta Express shkruan se Federata e Futbollit e Kosovës pak ditë më parë e hapi kuletën duke i ndihmuar secilit klub elitar me nga 12.250 euro, apo thënë ndryshe u ndihmuan me nga 350 euro nga 35 anëtarë. Ndihmë iu afrua edhe klubeve të rangjeve tjera.
Por, është problem i madh të mbulohet “fukarallëku” i madh i futbollit kosovar, i cili shihet edhe nga një kënd tjetër – nga ai infrastrukturor. Trepça ’89 ka publikuar fotografi të gjendjes së stadiumit “Riza Lushta”.
Në këtë stadium të Mitrovicës ka shkuar edhe titulli i kampionit dhe aty janë zhvilluar ndeshje të mëdha sepse është shtëpia e njërit prej klubeve më të mëdha në vend. Por, gjendja e këtij stadiumi shkon aspak me garën elitare që te ne quhet “Superligë”, por që shumë pak ka të bëjë me superioritet. Përkundrazi, shikuesit që shkojnë në një stadium si ai “Riza Lushta” duhet ta kenë parasysh rrezikun nga mundësia e shembjes së tribunave apo mureve të stërvjetëruara. /GazetaExpress/







Spitali Amerikan ka shpallur konkurs për vende të lira pune në Kosovë për profesionistë të fushës së infermierisë, duke...