Emra si Lionel Messi dhe Tom Brady nuk arritën të përfshihen në top 10.
Lista e 10 sportistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave e rendit Michael Jordan vetëm në vendin e dytë, me një emër befasues që kryeson listën.
Kjo sipas Piers Morgan, i cili në vitin 2021 për Daily Mail publikoi listën e tij të GOAT-ëve në sport, duke lënë jashtë emra si Lionel Messi dhe Tom Brady.
Ndërkohë, rivali i Messit, Cristiano Ronaldo, arriti të përfshihej në dhjetëshen më të mirë. 40-vjeçari, i cili ka luajtur për Manchester United, Real Madrid dhe Juventus, është renditur i pesti në këtë listë.
Megjithatë, Morgan ka vendosur katër sportistë përpara Ronaldos, pavarësisht se ky i fundit ka fituar pesë herë Topin e Artë gjatë karrierës së tij legjendare.
Ronaldo është renditur pas ikonës së Lojërave Olimpike dhe atletikës, Usain Bolt, i cili ka fituar tetë medalje të arta olimpike. Rekordi i tij botëror në 100 metra, me kohën 9.58 sekonda në vitin 2009, mbetet i pathyeshëm.
Morgan thotë se Bolt “kombinoi një fizik të jashtëzakonshëm, shpejtësi dhe fuqi me një personalitet karizmatik në mënyrë spektakolare, duke shkatërruar rivalët e tij”.
Në vendin e tretë është legjenda e boksit, Muhammad Ali, i cili fitoi titullin botëror në peshat e rënda tre herë gjatë karrierës së tij.
“Mënyra e tij e jashtëzakonshme dhe ekstravagante e të folurit, si dhe ndikimi i tij mahnitës në skenën globale, e bënë Aliun të veçantë,” theksoi Morgan.
Në vendin e dytë, pas një karriere madhështore në NBA, është Michael Jordan, i cili fitoi gjashtë tituj kampion me Chicago Bulls.
Morgan e quajti Jordanin “sportistin e dytë më të madh në histori” dhe e përshkroi atë si një “i çmendur i vërtetë” në fushën e basketbollit.
Ndërkohë, vendin e parë në këtë renditje e mban legjenda australiane e kriketit, Sir Don Bradman.
I njohur si “The Don”, Bradman konsiderohet si batsmani më i madh në historinë e kriketit. Mesatarja e tij e goditjeve në testet ndërkombëtare prej 99.94 është cilësuar nga shumë ekspertë si arritja më e madhe nga çdo sportist në çdo sport të madh.
Morgan shpjegoi:
“Ai ishte një makinë 1.70 m e gjatë, e cila dominoi aq shumë, saqë po të kishte shënuar edhe katër pikë në ndeshjen e tij të fundit, mesatarja e tij do të ishte 100 – e cila në kriket konsiderohet përsosmëri absolute.”
“Por në vend të kësaj, ai doli me zero pikë, duke vërtetuar se askush nuk është i përsosur. Megjithatë, Bradman iu afrua më shumë përsosmërisë sesa çdo sportist tjetër në histori. Dhe për këtë arsye, për mua, ai është GOAT-i i sportit.” /GazetaExpress/
Top 10 sportistët më të mëdhenj sipas Piers Morgan:
10 – Ayrton Senna (piloti i garave)
9 – Wayne Gretzky (hokej mbi akull)
8 – Michael Phelps (notar)
7 – Roger Federer (tenis)
6 – Tiger Woods (golf)
5 – Cristiano Ronaldo (futboll)
4 – Usain Bolt (atletikë)
3 – Muhammad Ali (boks)
2 – Michael Jordan (basketboll)
1 – Sir Don Bradman (kriket)