Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë.
Gjatë takimit, Gërvalla dhe Lammy diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar se Londra mbetet një partner i fuqishëm dhe mbështetës i palëkundur i Kosovës në rrugën e saj drejt forcimit të shtetit ligjor, demokracisë dhe integrimit ndërkombëtar.
Përmes një komunikate të MPJD’së u bë e ditur se një ndër temat kryesore të diskutimit ishin sfidat e sigurisë në Ballkan, ku ministrja Gërvalla informoi homologun e saj britanik mbi veprimet destabilizuese të Serbisë dhe ndikimin rus në rajon.
Ajo potencoi se përmes bashkëpunimit të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, mund të ruhet stabiliteti dhe siguria në Kosovë dhe më gjerë.
“Bashkëpunimi mes dy shteteve pritet të thellohet edhe më tej në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.