“Gjakderdhja e dytë i mori jetën” - Aktorja Flutra Gashi rrëfen me lot në sy ndarjen nga nëna - Gazeta Express
string(89) "gjakderdhja-e-dyte-i-mori-jeten-aktorja-flutra-gashi-rrefen-me-lot-ne-sy-ndarjen-nga-nena"

Yjet

Gazeta Express

28/10/2025 19:16

“Gjakderdhja e dytë i mori jetën” – Aktorja Flutra Gashi rrëfen me lot në sy ndarjen nga nëna

Yjet

Gazeta Express

28/10/2025 19:16

Një rrëfim që të rrëqeth. Aktorja dhe opinionistja e njohur Flutra Gashi ka ndarë një histori të thellë emocionale gjatë intervistës së saj në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, duke folur për humbjen më të madhe të jetës së saj — vdekjen e nënës.

E mbajtur me vështirësi në lot, Flutra tregoi se nëna e saj ishte “personazhi kryesor i jetës”, një grua që e kishte rritur e vetme, me dashuri, përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme.

“Ajo ka qenë plaga më e madhe në jetën time, mos të them tragjedia më e madhe e jetës sime. Isha 22 vjeçe. Kam qenë shumë e lidhur me mamin për shkak të historisë. Ka qenë nëna, babai, shoqja e ngushtë, gjithçka,” – rrëfeu aktorja.

“Kam qenë 9-muajshe kur babai u nda nga nëna ime”

Flutra zbuloi se ka qenë vetëm 9-muajshe kur prindërit e saj janë ndarë dhe se nëna e rriti e vetme, duke punuar pareshtur për t’i siguruar një jetë të mirë e të dinjitetshme.

“Kam qenë shumë e lidhur me mamin. Sa herë shkoja me pushime, gjithmonë me të, sepse ajo ishte shoqja ime më e mirë. Kemi punuar bashkë në bizneset e saj, në dyqane… ajo ishte forca ime.”

“Gjakderdhja e dytë ia mori jetën”

Momenti më dramatik në jetën e saj ndodhi në Tiranë, në Spitalin “Nënë Tereza”, ku nëna e Flutrës pësoi një hemorragji në tru.

“U bë operacion një herë dhe shkoi me shumë sukses, por gjakderdhja e dytë ia mori jetën. Edhe pse mjekët dhanë maksimumin, ajo nuk mundi të luftonte më shumë,” – tha Flutra me emocion.

Aktorja pranoi se që prej atij momenti, nuk e ka parë më me të njëjtin sy rrugën Tiranë–Prishtinë, rrugën ku u kthye me trupin e nënës së ndjerë.

“Kurrë nuk e harroj atë rrugë kur jam kthyer me nënën e vdekur. Ajo ishte rruga më e gjatë e jetës sime.”

“Aty ndjeva frikën e madhe të jetës”

E pyetur nga Bieta Sulo nëse ka qenë momenti më i vështirë që ka përjetuar, Flutra tha me zë të dridhur:

“Aty jam përballur për herë të parë me frikën e madhe: çfarë do bëj unë tani? Jo se nuk kisha forcë, por kur të mungon dashuria, nuk të plotëson as karriera, as paraja. U ndjeva shumë vetëm, shumë e re.”

Ajo tregoi se gjashtë muajt e parë pas humbjes kanë qenë tepër të vështirë, plot ankth dhe izolim.

“Nuk doja të flisja me askënd, përveç dajave. Më pas, kujtova se sa e fortë ishte nëna ime. Aty mora forcën. Thashë me vete: do ja dal, ajo më sheh diku lart dhe do ta bëj krenare.”

“Inspirimi më i madh në jetën time”

Sot, Flutra Gashi e cilëson nënën si frymëzimin më të madh të jetës së saj dhe arsyen pse ka arritur të përballojë sfidat personale e profesionale.

“Ajo ka qenë inspirimi im më i madh. E gjithë forca ime vjen prej saj.” /GazetaExpress/.

Advertisement
Advertisement
Advertisement