Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit tridhjete (30) ditë të pandehurit D. LL., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Ngacmimi Seksual”.
Sipas kërkesës, “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D. LL., në Gjakovë, në shkollën fillore ‘M.K.’, e ngacmon seksualisht personin tjetër, e cila është e ndjeshme për shkak të moshës, duke e përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës se mitur, veprime këto të cilat të dëmtuarës së mitur i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis frikësues, degradues dhe poshtërues”, thuhet në njoftimin e gjykatës, transmeton Telegrafi.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake Driton Sadiku, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepër penale të rëndë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe i ndikimit në prova.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjete (30) ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 27 mars 2025 dhe do të zgjasë deri më 26 prill 2025.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.