string(102) "gjykimi-ndaj-currit-dhe-te-tjereve-i-demtuari-faton-dalladaku-flet-per-pasurine-qe-kishte-para-2011-es"

Gjykimi ndaj “Currit” dhe të tjerëve, i dëmtuari Faton Dalladaku flet për pasurinë që kishte para 2011-ës

Lajme

Gazeta Express

28/04/2025 14:29

Në gjykimin ndaj Ismet Osmanit i njohur me nofkën “Curri” dhe të tjerëve, të akuzuar për fajde dhe detyrim, të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë dëshmoi i dëmtuari Faton Dalladaku, i cili tha se para vitit 2011 kishte mbi 1 milion euro para të gatshme, 30 hektarë tokë, banesa, lokale dhe ishte pronar i Fakultetit të Modës.

“Mbi 1 milion euro kam pas para të gatshme, banesa afër Grandit, shtëpi-zyre në Pejton, kam qenë pronar i biznesit “Western Union”, pronar i Fakultetit të Modës”, tha Dalladaku.

Lexo Edhe:

Në këtë rast, Ismet Osmani-Curri, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dalladaku tha se ka pasur paluajtshmëri edhe në qytetin e Prizrenit, të cilën e kishte fituar përmes privatizimit.

I dëmtuari shtoi se ka investuar edhe mbi 1.5 milion euro në ndërtimin e Qendrës Kardiale të Kosovës, që tash njihet si Spitali Amerikan.

Ai përshkroi edhe rastin tjetër gjyqësor që është zhvilluar në të cilin po ashtu kishte cilësinë e të dëmtuarit, ku sipas tij, persona të caktuar i kishin kërkuara para në emër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, e që paratë e marra do t’i ktheheshin nga fondi “Vendlindja thërret”.

Dalladaku tha se pas problemeve që kishte pasur me grupe të caktuara, i ishte shkaktuar ankthi, dhimbjet e zemrës e depresioni.

Për këtë, reagoi mbrojtësja e të akuzuarit Lika, avokatja Kosovare Kelmendi, e cila kërkoi që të mos i lejohet të dëmtuarit Dalladaku që në detaje të tregojë për gjendjen shëndetësore pasi që “nuk është para klerikut fetar për tu rrëfyer”.

Dëshmia e Dalladakut pritet të vazhdojë edhe në seancën e radhës.

Paraprakisht, në këtë seancë u konstatuan të lexuara fjalët hyrëse të dhëna nga palët më herët në këtë gjykim.

Ismet Osmani i njohur si “Curri”, ishte dorëzuar më 19 nëntor 2024 në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për rastin ku po kërkohej për tentim vrasje dhe të njëjtit më pas i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak. Kurse, nga 17 shkurti 2025 gjendet në liri, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka bërë kërkesë për vazhdim të masës së sigurisë.

Kurse, në rastin ku po akuzohet për fajde, “Curri” kishte munguar në seancën e 1 korrikut 2024, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për t’ia revokuar masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro.

Por, Gjykata e Apelit pas kthimit dy herë në rivendosje, herën e tretë kishte vendosur të lë në fuqi masën e dorëzanisë, duke iu besuar premtimeve të avokatit se Curri do paraqitej në seancën e caktuar më 8 tetor.

Në këtë rast, Ismet Osmani-Curri, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”.

Avokati i “Currit”, Besnik Berisha kishte kërkuar përjashtimin e kryetares se trupit Gjykues, Medie Bytyqit. Mirëpo, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit. Këtë kërkesë, e refuzoi edhe Apeli.

Ndryshe “Betimi për Drejtësi”, më 28 shtator 2024 ka publikuar hulumtimin “Vendimet kontraverse të gjykatave -Si Curri “shpëton” nga drejtësia përmes falsifikimeve mjekësore?”.

Detajet rreth kronoligjisë së këtij rasti, mund t’i gjeni: KËTU.  Ndërsa, aktakuzën e plotë mund ta gjeni: KËTU. /BetimipërDrjetësi