Marigona Osmani u vra kur ishte vetëm 18 vjeçe. Më 4 gusht 2023, gati dy vjet pas vrasjes së saj, në Gjykatën Themelore të Ferizajt do të shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu
Më poshtë gjeni kronologjinë e rastit:
22 gusht 2021 – Marigona Osmani, 18-vjeçare, vdes. Dardan Krivaqa, i cili jetonte me Marigonën në bashkësi jashtëmartesore, si dhe Arbër Sejdiu, akuzohen se me dashje dhe në bashkëkryerje e vranë 18-vjeçaren në Ferizaj, në tentim për ta fshehur kryerjen e veprës penale dhunimi një ditë më parë.
14 korrik 2022 – Mbahet seanca fillestare e këtij rasti. Arbër Sejdiu deklarohet i pafajshëm, ndërsa Dardan Krivaqa mbrohet në heshtje.
23 gusht 2022 – Avokatët e Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut kërkojnë hudhjen e aktakuzës.
2 shtator 2022 – Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut u konfirmohet aktakuza, pasi gjyqtari i rastit, Sahit Krasniqi, hedh poshtë kërkesën për hudhje të aktakuzës.
24 janar 2023 – Gjyqtari Sahit Krasniqi aprovon propozimin për ekzaminimin psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës. Raporti i Institutit të Forenzikës konstaton se Krivaqa nuk ka asnjë çrregullim apo sëmundje mendore psikotike.
6 korrik 2023 – Dardan Krivaqa sërish mbrohet në heshtje.
1 gusht 2023 – Jepen fjalët përfundimtare. Avokati i familjes së 18-vjeçares së vrarë kërkon dënim maksimal, ndërsa avokati i Krivaqës thotë se, kur të merret vendimi për dënimin, duhet të merret parasysh që “vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”, shkruan REL.
4 gusht 2023 – Shpallet aktgjykimi.
Ndryshe, avokati i palës së dëmtuar, familjes Osmani, Gazmend Rexhepi ka kërkuar që ndaj të akuzuarve të shpallet dënimi kapital.
Sipas Kodit Penal te Kosovës, ky dënim më i rëndi që e njohin ligjet e Kosovës është ai me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë familja e 18-vjeçares Marigona Osmani pritet të kërkojë dëmshperblim dhe do të parashtrojë kërkesë për mbrojtje pasurore juridike pas përfundimit të këtij gjyqi.
Sipas të dëmtuarve, vrasja e Marigona Osmanit është më e rënda nga paslufta dhe është ende më mizore se sa që është paraqitur në aktakuzë.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...