Granit Rugova është larguar përfundimisht nga basketbolli.
Ish-lojtari i njohur e mbylli karrierën kohë më parë për t’u bërë pjesë e Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Ai njëherësh ishte drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës dhe ushtrues i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Ligës Unike.
Por, atij sot iu dha një detyrë e re, shkruan “Gazeta Express”.
Në fakt, Partia Demokratike e Kosovës ia besoi atij postin e udhëheqësit të Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës.

Dhe, ai e pranoi këtë me kënaqësi dhe zotohet se do të kontribuojë sa të mundet në promovimin dhe avancimin e sportit në qytetin e tij të zemrës.
E në ndërkohë, Rugova, i cili ishte edhe kandidat i PDK-së për asamblist në Komunën e Prishtinës, sot ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që e lidhnin me basketbollin kosovar.
Granit Rugova është njëri prej basketbollistëve më të mirë pasluftës, ndërsa ka fituar shumë trofe me Prishtinën. /Gazeta Express/