Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë mbledhjes së Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, nuk është prezantuar asnjë dokument për dorëheqjet individuale të anëtarëve të Qeverisë, që sot bënë betimin si deputetë.
“E vërteta është që nuk janë prezantuar dorëheqjet, por ministrja [në detyrë e Drejtësisë, Albulena] Haxhiu dhe Mimoza Kusari-Lila kanë garantuar që ministrat kanë dhënë dorëheqje në mënyrë individuale. E dyta, janë deklaruar publikisht që kanë dhënë dorëheqje. Ne kemi thënë, ‘në rregull, këto gjëra që po i thoni ju do t’i evidentojmë në procesverbal të Komisionit dhe mbani përgjegjësi ligjore nëse nuk keni dhënë dorëheqje’”, tha ai.
Sipas tij, deklarimet publike të ministrave, tashmë deputetë, por edhe ato të bëra në Komision, ishin të mjaftueshme për PDK-në që t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, tani u mbetet organeve të drejtësisë që të veprojnë “nëse këta [ministrat dhe kryeministri që bënë betimin si deputetë] pas betimit shkojnë në zyrat qeveritare”.
“Ne thamë që deklarimet publike në media dhe deklarimi në komision konsiderohen të mjaftueshme dhe kanë fuqi juridike sepse edhe ashtu është jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Sipas Grudës, nëse Albin Kurti, dhe anëtarët e tjerë qeveritarë, pas betimit si deputetë vazhdojnë punën në ekzekutiv, ata do të bënin “shkelje kushtetuese dhe vepër penale”.
Më herët gjatë ditës, Radio Evropa e Lirë, duke u thirrur në burime brenda organit legjislativ, raportoi se ministrat e Qeverisë Kurti 2 kishin dorëzuar individualisht dorëheqjet e tyre në Sekretariatin e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, burime brenda Kuvendit të Kosovës më pas konfirmuan se nuk kanë pranuar dorëheqje, por vetëm letrën njoftuese të Kurtit më 15 prill se qeveria e tij është e dorëhequr që nga 23 marsi./REL
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...