Xhavit Haliti, ish-nënkryetar i Kuvendit e ka komentuar mundësinë e një koalicioni qeverisës ndërmjet LVV-së së Albin Kurtit dhe Nismës së Fatmir Limajt, por edhe gjendjen paszgjedhore të partive opozitare që nuk duan bashkëpunim me partinë në pushtet.
Ai shkroi në Facebook se “çdo gjë është e mundshme”, por “vështirë e parashikueshme”.
Haliti tha se opozita nuk e ka “kandidatin e përbashkët për kryeministër”, gjë që tha se “e dobëson në raport me fuqinë elektorale të VV-së”.
‘Pa pretenduar se kam ndonjë informatë apo jo lidhur me mjegullnajën e ngritur se u takuan apo jo Kurti e Limaj, dua të jam i qartë: të dytë janë shtetas të Kosovës, janë kryetarë partish, janë zgjedhur deputetë dhe kanë përgjegjësi publike para elektoratit që i ka votuar, kushtetuese, ligjore e partiake”.
“Por, Fatmiri ka edhe një përgjegjësi shtesë, që është besë (e besë në politikë s’ka), ndaj partnerit – AAK-së, me të cilin duhet të jetë fer dhe të paktën ta njoftojë për shkurorëzimin politik, apo kjo është një tymnajë mediatike dhe strategji e të mëdhenjve për t’ia lehtësuar vehtes thyerjen e akullit për t’i filluar negociatat”, shkroi ai.
Haliti tha se “e vetmja parti në Kosovë që në ‘kazanin qeverisës’ nuk e ka pasur partner VV-në, është PDK-ja”.
“Të tjerat kanë qenë në kazanin apo vorbullën e përbashkët politike dhe felat e tepsisë që t’i mundëson pushteti i kanë ndarë së bashku. Kjo nuk do të thotë që PDK-ja nuk ka pasur takime publike e jopublike dhe se nuk ka ndarë mesazhe me VV-në dhe me të gjitha partitë politike në vend”.
‘Partia fituese është në përpjekje për t’i bërë votat për të krijuar qeverinë. Opozita ka një qëndrim të vetin, por se ka kandidatin e përbashkët për kryeministër, gjë që e dobëson në raport me fuqinë elektorale të VV-së”, shkroi Haliti.
Ai thotë se Kurti “ka nevojë” për një koalicion “me një parti të vogël”.
“Prandaj, sipas mendimit tim në këtë rast, çdo gjë është e mundshme, por aktualisht vështirë e parashikueshme, sepse publiku është lodhur nga dezinformatat dhe debatet shterrpe televizive, nga të cilat shumica janë zhurma çorientuese se sa që mund të quhen debate”.
“Në vështrimin tim, Kurti ka nevojë për të bërë koalicion me një parti të vogël, e cila ia mundëson kalimin e “ylberit”, siç është Nisma Socialdemokrate, parti me ideologji të majtë si VV”, shkroi Haliti.
Haliti tha se “VV-ja kushtetutshmërisht e plotëson qeverinë me pakicat duke përjashtuar Listën Serbe” por “se sa do jetë i qëndrueshëm ky lloj koalicioni mbetet të shohim”.
“Sa i përket heshtjes së Limajt dhe Kurtit, si dhe zhurmës se a janë takuar apo jo, mendoj që janë takuar, por ende nuk kanë arritur të bëjnë marrëveshje”.
“Besoj që kërkesat e Limajt është duke i analizuar Kurti dhe gjithmonë në kto raste ka takim të parë, të dytë dhe të tretë. Heshtja dypalëshe është tregues i mirë që kanë një marrëveshje për mostransparencë dhe për të heshtur”, shkroi Haliti.