Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, u përfshi në një debat jashtëzakonisht të ashpër me një lojtar, pasi ky i fundit mbërriti me vonesë në një mbledhje të ekipit para ndeshjes.
Që nga marrja e drejtimit të Barcelonës në fillim të sezonit, Flick është treguar një trajner mjaft i qetë, duke dhënë gjithmonë përshtypjen e një njeriu të përmbajtur në bankinë.
Pas ndeshjeve, Flick shpesh shfaqet shumë i afërt me lojtarët e tij, duke i përqafuar ndërsa ata largohen nga fusha, megjithatë, prapa skenave ai mund të jetë një person krejtësisht ndryshe.
Sipas një raporti të fundit, Flick është një disiplinues jashtëzakonisht i rreptë, duke kërkuar përkushtim të plotë nga skuadra e tij.
Media spanjolle Mundo Deportivo ka raportuar se pritshmëritë e larta të Flick kanë çuar në disa përplasje, me Jules Koundé që ka qenë objektivi kryesor i zemërimit të tij përpara përballjes me Rayo Vallecano.
Koundé mbërriti me vonesë në një mbledhje të rëndësishme para ndeshjes në hotelin Torre Melina Gran Melia, duke bërë që Flick të priste në hyrje ndërsa pjesa tjetër e ekipit tashmë ishte ulur brenda.
Raportohet se trajneri gjerman e përplasi derën dhe bërtiti ndaj mbrojtësit francez sapo ai mbërriti, duke e lënë jashtë formacionit titullar për të treguar autoritetin e tij mbi skuadrën.
Raporti gjithashtu shton se mbrojtësi ka të ngjarë të jetë gjobitur për mungesën e tij të mos qenit i saktë në orar.
Ky nuk është një rast i izoluar, pasi Koundé ishte vonuar edhe në tetor dhe nëntor, çka kishte sjellë sërish përjashtimin e tij nga formacioni.
“Kur them ora 13:30, nuk është as 13:29 dhe as 13:31. Para ndeshjes, kemi dy ose tre mbledhje. Është shumë e rëndësishme që lojtarët të jenë aty, dhe nuk është e vështirë të mbërrish në kohë. Kjo lidhet me respektin për shokët e skuadrës. Të mbërrish me vonesë, qoftë edhe një minutë, është mungesë respekti për ta”, tha Flick duke folur në nëntor pas incidentit të dytë. /GazetaExpress/