Haradinaj e quan persekutim ftesën nga Haga, e lidh me qëndrimet e tij për punën e kufijve - Gazeta Express
string(89) "haradinaj-e-quan-persekutim-ftesen-nga-haga-e-lidh-me-qendrimet-e-tij-per-punen-e-kufijve"

Gazeta Express

17/12/2019 14:41

Haradinaj e quan persekutim ftesën nga Haga, e lidh me qëndrimet e tij për punën e kufijve

Gazeta Express

17/12/2019 14:41

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është e dëmshme për procesin e pajtimit në Ballkanin Perëndimor, që të lihen të lirë serbët e dyshuar për krime lufte, ndërsa të ndiqen vetëm kosovarët.

“Unë jam në favor të drejtësisë për të gjitha viktimat, duke mos i dalluar ato sipas përkatësisë etnike të tyre. Unë jam kundër drejtësisë selektive ”, ka thënë kreu i AAK’së në një intervistë për EUobserver, transmeton Gazeta Express.

Sipas tij, një ‘gjykatë mono-etnike nuk është e mirë për viktimat”, duke iu referuar kështu Gjykatës Speciale në Hagë si e sponsorizuar nga Bashkimi Evropian.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, ka thënë se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar që të ndëshkojë serbë që kanë kryer “shumë masakra dhe krime lufte kundër civilëve shqiptarë”

“Mund të përmendi masakrat e Mejës, Krushës së Madhe, Kralanit, Lubeniqit, Pokelkut, Izbicës, të Reçakut, Qyshkut dhe Podujevës, qindra masakra nga ushtria serbe, policia dhe forcat paramilitarëve kundër civilëve në të gjithë Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

 Tutje Haradinaj ka folur edhe për dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit pas ftesës që kishte marrë nga Haga që të paraqitet në Speciale si i dyshuar.

 “Për një kryeministër, që të jetë i dyshuar dhe të vazhdojë punën e tij, është shumë e vështirë, për vendin tonë, për besueshmërinë e shtetit”, ka potencuar kreu i AAK’së.

Ftesën e fundit që i është bërë nga Gjykata Speciale, Haradinaj e cilëson si të dyshimtë duke e ndërlidhur me përndjekje politike, pasi ai përmend faktin se dy herë është liruar nga institucionet ndërkombëtare të drejtësisë të cilat hetonin krimet në ish-Jugosllavi.

“Nuk ngjanë me sundim të ligjit, është një ndjekje politike”, ka thënë ish-komandanti i UÇK’së.

Ai këtë e ka ndërlidhur me qëndrimet që ka pasur për çështje të ndryshme, siç është kundërshtimi i ashpër i idesë për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve.

Haradinaj tutje ka thënë se Kosova është pajtuar plotësisht me themelimin e Gjykatës Speciale, ndërkohë përmend faktin që Serbia vazhdon të strehoj të arratisurit.

“Beogradi ka mohuar atë që ka ndodhur në të kaluarën. Do të ishte vendimtare që Serbia t’i kërkojë falje popullit Kosovar për vuajtjet që i ka shkaktuar”, ka thënë ai.

 Korrigjimi i kufijve një ide e rrezikshme

Në këtë intervistë kryeministri në largim ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve duke e cilësuar një gjë të tilë si tepër të rrezikshme.

“Do të ishte një thirrje për t’u rikthyer në tragjeditë e të kaluarës”, ka thënë Haradinaj.

“Një ide e tillë është jashtëzakonisht e rrezikshme për Kosovën dhe për stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar tutje ai.

Sa i përket krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, Haradinaj thotë se diçka e tillë mund të krijohet vetëm si një formulë alternative për paqe për të plotësuar nevojat e serbëve që jetojnë në Kosovë, duke specifikuar që Asociacioni asnjëherë s’mund të ketë kompetenca ekzekutive.

Sipas tij AKS’ja s’mund të ketë fuqi “legjislative dhe ekzekutive”, pasi që rrezikon që Kosova të bëhet një Bosnje e dytë, e ndarë në linja etnike.

Ndër të tjera në këtë intervistë Haradinaj ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Bashkimin Evropian dhe bllokadën franceze për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas tij një qëndrim i tillë i Parisit ka shkaktuar tronditje për rajonin.

Sipas tij reformat në procesin e zgjerimit të BE’së duhet të kryhen përpara se të merret ndonjë vendim i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri në detyrë gjithashtu ka thënë se Kosova ka mbetur shumë larg në rrugën e integrimit në BE, krahasuar me Serbinë, dhe sipas tij BE të paktën të lejojë kosovarët të lëvizin pa viza si qytetarët e shteteve të tjera në rajon.

“Është thelbësore të jepet drejta e lëvizjes pa viza në BE, për qytetarët tanë të izoluar , të vetmit në gjithë Ballkanin perëndimor, të cilët ende kërkojnë leje për të udhëtuar drejt BE’së”, ka shtuar Haradinaj.

Ai në fund ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim dhe se tashmë vetëm po pritet vendimi i Bashkimit Evropian.

Advertisement
Advertisement
Advertisement