Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot disa nga masakrat më të rënda të kryera nga forcat serbe gjatë prillit të vitit 1999.
“Liria që gëzojmë sot u pagua me një çmim të madh. Shumë familje humbën më të dashurit e tyre nga terrori shtetëror serb, i cili kishte për qëllim shfarosjen e një populli të tërë. Armiku nuk kurseu as foshnjat, as fëmijët në prehër të nënave, pleqtë e të pambrojturit”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka përkujtuar masakrën në fshatin Studenicë të Istogut, ku forcat serbe ekzekutuan në mënyrë barbare nëntë civilë shqiptarë – tetë anëtarë të familjes Lipaj dhe një nga familja Zeqiraj. Ata u rrethuan në shtëpi, u nxorën në oborr dhe u vranë nga afërsia, ndërsa trupat e tyre u hodhën në një bunar pranë shtëpisë, të cilin më pas armiku e shkatërroi për të zhdukur gjurmët e krimit.
Masakra të tjera u kryen po atë ditë edhe në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, ku forcat serbe vranë shtatë anëtarë të familjes Zeka dhe dy të familjes Hoxha.
“Edhe sot, pas më shumë se dy dekadash, drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtyre krimeve barbare. Shteti serb duhet të ballafaqohet me krimet e veta,” ka përfunduar Haradinaj.