Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se më nuk ka vende të lira për strehim në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve. Nga kjo komunë bëjnë me dije se fluksi i të ardhurve nga Shqipëria mbrëmë ka qenë shumë i madh, me ç’rast Parku i ka përmbushur të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion, duke i sistemuar mbi 500 persona, raporton Express.
Përmes një postimi në Facebook, Haskuka i ka paralajmëruar qytetarët që të mos drejtohen te Parku pa paralajmërim, pasi që nuk ka kapacitet të pranohen më shumë persona.
“Fluksi i të ardhurve nga Shqipëria mbrëmë ka qenë shumë i madh, me ç’rast Parku i ka përmbushur të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion, duke i sistemuar mbi 500 persona. Me këtë rast kërkoj nga të gjithë të kenë parasysh këtë dhe mos të drejtohen tek Parku pa paralajmërim, pasi që nuk ka më kapacitet të pranohen më shumë persona”, ka shkruar ai.
Haskuka ka njoftuar se të gjithë të ardhurit në Park janë regjistruar, dhe se tani e tutje do të bëhet edhe një regjistër më i detajuar për të mësuar nevojat e tyre në aspekt shëndetësor, social dhe arsimor.
I pari i Komunës së Prizrenit u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë ofruar strehim dhe kanë ende vende të lira, që të lajmërohen për të bërë identifikimin e tyre dhe të kem një databazë për të pasur më të lehtë menaxhimin e situatës.
“Përveç sistemimit të personave në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve, jemi të vetëdijshëm që edhe shumë familje i kanë hapur shtëpitë e tyre vullnetarisht për t’i pranuar personat e prekur nga tërmeti. Për këtë, lus të gjithë ata që i kanë pranuar miqtë tanë nga Shqipëria apo kanë vende të lira dhe mund të pranojnë persona të tjerë, le të lajmërohen në Qendrën e Thirrjeve “Alo Komuna” tek numrat 0800 19 200 dhe në Viber +383 45 119 200, në mënyrë që të bëjmë identifikimin e tyre dhe të kemi një databazë për të pasur më lehtë menaxhimin e kësaj situate”, ka shkruar ai.
Ndryshe, mëngjesin e së martës, Shqipëria u godit nga një tërmet 6.4 ballë me epiqendër në Durrës. Nga ky tërmet deri më tani kanë humbur jetën 49 persona, ndërsa qindra të tjerë janë lënduar.
Dy nga viktimat ishin nga Kosova. Isa dhe Shemsedin Abazi mbetën të vdekur në rrënojat e njërit nga hotelet e Durrësit.
Qeveria e Kosovës për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar ka dërguar një kontingjent të policisë dhe ushtrisë, si dhe po ashtu ka ndarë një fond prej 500 mijë euro. /Gazeta Express
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...