Lutfi Haziri nga LDK ka thënë se VV’së i takon e drejta për të propozuar por sipas tij kjo nuk “është e drejtë absolute”.
“E drejta politike për të propozuar nuk do të thotë e drejtë absolute, ose duhet të kërkohet e ndërtohet një konsensus më i gjerë ose marrëveshja politike është e pritshme, do duhej të ndodhte, kjo nuk po ndodhë”, tha ai.
Haziri shtoi se në seancën e parë është dashur të përfundojë konstituimi i kuvendit.
“Seanca e parë ka qenë e nevojshme me i tejkalu krejt, e dyta është e tepërt mos të flasim për seancën e tetë, nuk po arrihet me u konstituu legjislativi i zgjedhur dhe ky është problem serioz politik, mungesë e vullnetit politik”, tha ai.
Ai tha se VV nuk po e bën as përpjekjen më të vogël që të ndihmojë qe Haxhiu të zgjidhet kryeparlamentare.
“Propozimi nuk i është mjaftueshëm, duhet me qenë i zgjedhur dhe me vet faktin që s’po ka as përpjekje më të vogël me ndihmu me u zgjedh zonja që u propozu tregon qartë që është vendim politik, nuk ka marrëveshje për qeveri, kuvendi po mbahet peng”, tha ai.
Haziri tha se VV duhet ta propozojë një deputet që është më i pranueshëm.
“Për neve nuk ka problem emri i përveçëm, e drejta e partisë së parë është e tyre, ata i kanë 48 veta dhe mund ta zgjedhin ose mund të ndërtojnë marrëveshje me dikë tjetër, ata duhet të mendojnë se cili është deputeti i parë që është më i pranueshëm”, shtoi ai.
Ai tha se presidentja Osmani “nuk ka asnjë detyrë”, kur u pyet nëse ajo duhet të thërrasë një takim me partitë politike. /GazetaExpress/