Taulant Hodaj gjatë ditës së sotme ka dhënë dorëheqje nga çdo pozitë e tij në Federatën e Futbollit e Kosovën.
Ai dorëheqjen e tij nga FFK-ja e ka njoftuar në “Facebook”, me arsyen se ka qenë i pakënaqur me mënyrën se si shtëpia e futbollit kosovar e ka trajtuar rastin e ndodhur në Rumani, duke pasur edhe mospajtime pas dërgimit të rastit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Por, megjithatë ai ka pasur një porosi për klubet kosovare dhe futbollistët nga Kosova.
Ai ka thënë se do të jetë në dispozicion të tyre sa herë të kenë nevojë.
“Edhe pse nuk do të jem më pjesë e FFK-së, në cilësinë e avokatit dhe ekspertit, do të vazhdoj të jem në krah të futbollistëve, klubeve të futbollit të vendit tonë dhe lojtarëve të Kombëtareve të Kosovës”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.
Ai për fund tha se “shpreson” që FFK-ja të forcojë kapacitetet e saj, për hir të klubeve dhe futbollistëve kosovar.
“Shpresoj dhe dëshiroj që FFK-ja të rritet dhe të forcojë kapacitetet e saj, në mënyrë që futbolli ynë të arrijë sukseset që meriton – për hir të lojtarëve, klubeve dhe vendit tone, i cili ka potencial të jashtëzakonshëm në futboll dhe urgjentisht ka nevojë për një përfaqësim më dinjitoz në arenën ndërkombëtare”, përfundoi ai./GazetaExpress/