string(123) "hudhet-aktakuza-per-zbulim-te-fshehtesise-zyrtare-ndaj-nagip-krasniqit-i-rikualifikohen-veprat-per-pikat-tjera-te-aktakuzes"

Lajme

Gazeta Express

28/04/2025 14:24

Gjykata pushon procedurën për “zbulim të fshehtësisë zyrtare”, i rikualifion veprat penale në aktakuzën ndaj Nagip Krasniqit

Lajme

Gazeta Express

28/04/2025 14:24

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, duke hudhur aktakuzën dhe pushuar procedurën penale për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Kurse, për pikat tjera të aktakuzës janë rikualifikuar veprat penale në një vepër penale në vazhdim “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“‘.

Lexo Edhe:

Përmes aktvendimit të 23 prillit 2025, Themelorja ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtësit të Krasniqit, avokatit Virtyt Ibrahimaga, duke hudhur pikën VI të aktakuzës së Prokurorisë Speciale dhe pushoi procedurën për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Në këtë pikë, Krasniqi akuzohej se ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK, duke i ndarë me personin jozyrtar- Dejona Mihalin.

Sipas vendimit, për pikat I deri V të aktakuzës, janë rikualifikuar veprat penale, kurse pjesa tjetër e kundërshtimit të parashtruar nga avokati Ibrahimaga, refuzohet si i pabazuar.

“Rikualifikohen veprat penale për të cilat akuzohet Nagip Krasniqi nga pika I deri V е aktakuzës: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, parashikuar nga nenin 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, në një (1) vepër penale, në vazhdim: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, parashikuar nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në vendim.

Andaj, sipas Gjykatës, pasi aktakuza të konisderohet e konfirmuar, shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale në
raport me Krasniqin do të zhvillohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31, e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Ndërsa, është refuzuar si e pabazuar kërkesa për hudhjen e aktakuzës, e paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Isuf Zejna, avokati Artan Qerkini.

Gjetjet e Gjykatës për pikat I-V të aktakuzës në raport me të akuzuarin Nagip Krasniqi:

Pasi vlerësoi pretendimet e avokatit, përgjigjen e PSRK-së, aktakuzën dhe provat që e mbështesin aktakuzën, Themelorja vlerëson se ka dyshim të bazuar mirë se në veprimet e Krasniqit janë përmbushur elementet e veprës penale, në vazhdim “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, parashikuar nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31, e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Sipas Gjykatës, aktakuza është e mbështetur në provat të cilat janë të mjaftueshme e që provojnë dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale të rikualifikuar në vazhdim. Dyshimi i bazuar mirë, rezulton në provat që i ka deponuar Prokuroria në Gjykatë.

Po ashtu, Themelorja thekson se provat në këtë çështje penale janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe se nuk janë në kundërshtim me dispozitat ligjore, andaj duhet të kalohet në shqyrtim gjyqësor.

“Kështu, në raport me të akuzuarin Nagip Krasniqi, dyshimi i bazuar mirë vërtetohet nga dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues Ymer Dragusha, i cili në dëshminë e tij pohon faktin se ka qenë ushtrues i detyrës së drejtorit të zyrës ekzekutive të prokurimit, dhe në këtë cilësi edhe ka marr pjesë në tenderët që janë objekt i kësaj akuze, ku kryeshefi ekzekutiv, Nagip Krasniqi, fillimisht ka insistuar që tenderi të zhvillohet me procedurë të negociuar me kompaninë TUV, duke argumentuar se kjo kompani është e specializuar dhe certifikuar për standardet e produkteve dhe shërbimeve, më vonë është pajtuar që të ndiqet një procedurë e hapur dhe e përshpejtuar е tenderimit, por më datë 15.12.2022 është urdhëruar nga kryeshefi që të kalojë në procedurë të negociuar me “TUV Hellas”, duke i dërguar kontaktet e kësaj kompanie për regjistrim në e-prokurim”, thuhet në vendim.

Aty thuhet se edhe në raport me tenderin “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me delatimet e kaldajave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, dëshmitari ka deklaruar se kryeshefi ka insistuar për procedurë të negociuar me kompaninë “TUV Hellas”, duke argumentuar se kjo kompani është e specializuar në këtë fushë dhe mund të sigurojë mbikëqyrje cilësore, më të cilën më vonë është nënshkruar kontrata.

Ndërsa, vendimi për të kategorizuar këtë tender si një procedurë jotransparente, Dragusha ka thënë se është marrë nga kryeshefi ekzekutiv përmes një e-maili drejtuar atij dhe Abedin Kabashit, derisa përcaktimi i një kërkese si emergjente është përgjegjësi e njësisë kërkuese, jo e tij apo prokurimit.

“Nga dosjet e tenderave që janë objekt i kësaj akuze, e të propozuara si prova, rrjedh se këto procedura të tenderimit ishin zhvilluar kryesisht përmes negocimit, pra duke i shmangur procedurat e rregullta të prokurimit dhe se kjo ishte bërë gjithnjë sipas kërkesave të kryeshefit, respektivisht të akuzuarit Nagip Krasniqi, me ç’rast edhe ka dyshim të bazuar se është shkelur ligji i prokurimit publik”, thuhet në vendim.

Kurse, nga e-maili i shkëmbyer nga i akuzuari me dëshmitarin bashkëpunues, Gjykata gjen se rezulton që Krasniqi kishte urdhëruar zyrën e prokurimit për nënshkrimin е kontratave, pavarësisht faktit se kishte raporte që rekomandonin mosplotësimin e kushteve.

Gjithnjë sipas vendimit, dyshimi i bazuar në raport me pikën II, që ka të bëjë me angazhimin e një kompanie konsulente ligjore për KEK-un, rrjedh edhe nga komunikimi elektronik në rrjetin “WhatsApp”, ku shihet komunikimi në mes të akuzuarit Krasniqi dhe të akuzuarit Isuf Zeja, të cilët bisedojnë lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, e që fitues shpallet pikërisht kompania e të akuzuarit Zejna, edhe pse opinioni i KRPP-së ishte që të përfillet procedura e hapur e prokurimit.

Sipas Gjykatës, provat tregojnë se Krasniqi ishte i përfshirë edhe në dy procedura tjera tenderuese të zhvilluara përmes negocimit.

“Kështu, për pikë III të akuzës që ka të bëjë me aktivitetin e prokurimit “Pllakat rrëshqitëse në PF-Kanalet e mullinjve të thëngjillit”, nga provat e propozuara vërtetohet se i akuzuari Krasniqi ishte në dijeni se në një procedurë të hapur tenderimi nuk lejohet ndryshimi i kushteve, respektivisht ndryshimi i shumës se garancionit të tenderit, dhe përkundër kësaj ia përshtat kushtet e tenderit operatorit ekonomik “Ergotem S.A” S.A, si dhe paraprakisht e fton që të aplikoj në tenderim, çka ka dyshim të bazuar se përbënë shkelje të ligjit të prokurimit publik”, thuhet në vendim.

Edhe në raport me pikën IV, që ka të bëjë me tenderin “Blerja e shërbimeve për mbikëgyrjen e implementimit të projektit: Dizajn, furnizimi, dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimet e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, Gjykata gjen se nga provat rezulton ka dyshim të bazuar se i akuzuari kishte kërkuar që ky aktivitet prokurimi të zhvillohet me procedurë të negociuar, duke e përcaktuar OE “Tuv Hellas” nga Greqia, përkundër faktit që të njëjtit ishin në dijeni se ky lloj i aktivitetit duhet të zhvillohet me procedurë të hapur, në kundërshtim me rregullat e LPP-së, përkatësisht nenin 3, neni 7 dhe 35 të LPP-së procedurën e tenderit të hapur e shndërron në procedurë të negociuar.

Gjithashtu, Themelorja gjen se në raport me pikën V të akuzës, që ka të bëjë me aktivitetin e prokurimit “Punë shtesë në riparimin e ekskavatorit E9 – Montimi i shtratit sferik”, nga provat materiale ka dyshim se i pandehuri pas dështimit me OE “Bahri Asllani”, lidhin kontratë me OE “Takraf”, ndërkaq OE “Bahri Asllani” ia lejojnë punimet pa asnjë marrëveshje apo kontratë me çmim shumë më të lartë se operatori “Takraf”, çka përbënë shkelje të rregullave të prokurimit.

Andaj, Themelorja erdhi në përfundim se nga këto prova dhe nga provat e tjera të bashkëngjitura në aktakuzë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet si në dispozitiv të aktakuzës, e të
rikualifikuar si vepër penale në vazhdim.

Të pabazuar, Gjykata e gjen pretendimin e mbrojtjes për mungesën e provave për ta vërtetuar dyshimin e bazuar për secilin pikë të akuzës, ngase vlerëson se provat janë të mjaftueshme për të argumentuar faktin se ka dyshim të bazuar
mirë.

Gjykata vlerëson se marrë parasysh përshkrimin e gjendjes faktike, në këtë rast më tepër kemi të bëjmë më vepër penale në “vazhdim”.

“…veprat penale për të cilat akuzohet Nagip Krasniqi, i plotësojnë kushtet për tu konsideruar vepër penale në vazhdim. Kjo nga fakti se janë disa vepra të njëjta, pra janë 5 vepra, në lidhshmëri kohore, nga i njëjti kryerës, prej tyre 4 janë në bashkëkryerje, dhe si të tilla paraqesin si tërsi, ngase plotësohen më shumë se dy nga kushtet e tilla. Kështu, në rastin konkret objekti i veprës penale është i njëjtë për të gjitha pika, pastaj duke marr parasysh se në këtë rast kemi të bëjmë me veprimet e të akuzuarit në cilësinë e personit zyrtar si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut, e ku të gjitha veprimet i ka ndërmarr në këtë cilësi”, thuhet në vendim.

Po ashtu, theksohet se e dëmtuara është e njëjtë dhe se dashja e kryerësit- përfitimi material është e njëjtë. E njëjtë, thuhet se është edhe periudha kohore kur pretendohet të jenë kryer veprat penale.

Lidhur me pretendimin e mbrojtësit se Prokuroria nuk i ka marrë parasysh provat shfajësuese, Gjykata rikujton se gjatë shqyrtimit gjyqësor mund t’i paraqesin provat që vlerësojnë se janë në favor të tyre. Andaj, sipas Gjykatës, pavarësisht se mund të qëndrojë ky pretendim, nuk është bazë e mjaftueshme ligjore për hudhje të aktakuzës.

Edhe lidhur me pretendimin se mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia të ballafaqohet me eksperizën financiare dhe ta kundërshtojë atë, Gjykata vlerëson se kjo çështje i takon shqyrtimit gjyqësor.

Ndërsa, sa i përket pretendimit për mungesë dëmi, Themelorja thekson se ekspertiza ka konstatuar një vlerë dëmi, por që edhe kjo çështje do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Të pabazuar, Gjykata e ka gjetur edhe pretendimin e mbrojtjes se provat janë marrë në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore. Nga Krasniqi ishin konfiskuar disa pajisje elektronike, duke përfshirë dy kompjuterë, një fletore dhe një faturë të KESCO-s. Sipas mbrojtjes, provat e nxjerra nga pajisjet elektronike janë siguruar në mënyrë të kundërigjshme.

“Nga provat e bashkangjitura rrjedh se kontrolli është aprovuar në mënyrë retroaktive nga gjyqtari i procedurës paraprake, në përputhje me nenin 108 të KPP-së, pastaj edhe ekzaminimi i pajisjeve elektronike është nxjerr me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, konkretisht me urdhëresën PPPS.nr.20/2023, datë 29.06.2023, ku është
urdhëruar ekzaminimi i pajisjeve siç janë cekur në urdhëresë”, thuhet në vendim.

Gjykata vlerësoi se propozimi i mbrojtjes për t’i shpallur provat e kundërligjshme, ishte i përgjithshëm. Kështu, Themelorja konstatoi se provat e siguruara nga Prokuroria janë marrë në përputhje me dispozitat ligjore, kurse vlera provuese e tyre do të vërtetohet pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor.

Andaj, shkalla e parë thekson se janë të pabazuara pretendimet e mbrojtjes për t’i shpallur provat e papranueshme dhe që në mungesë të tyre ta hudh aktakuzën kundër të akuzuarve.

“Gjykata sa i përket aktakuzës dhe rikualifikimit, konsideron se nuk ekzistojnë rrethana të cilat përjashtojnë përgjegjësinë penale të të akuzuarve, nuk ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, amnisti apo falje dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme të cilat e mbështetin dyshimin e bazuar dhe se duhet të kalohet në shqyrtim gjyqësor ku edhe do të vendoset në mënyrë meritore për çështjen”, thuhet në vendim.

Gjetjet e Gjykatës për pikën VI të aktakuzës në raport me të akuzuarin Nagip Krasniqi:

Pas vlerësimit të pretedimeve të mbrojtjes, aktakuzës dhe provave që e mbështesin atë, Gjykata Themelore në Prishtinë gjeti se kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Nagip Krasniqi, për hudhjen e aktakuzës në raport me veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” është e bazuar.

Pas analizimit të shkresave të lëndës, Gjykata vlerëson se në këtë çështje penale nuk ishte kontestues fakti se i akuzuari informacionet si në aktakuzë ia kishte dërguar Dejona Mihalit gjatë komunikimit të tyre në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale. Por, sipas kësaj Gjykate, çështja që shtrohet është se këto informata a kanë qenë të natyrës së “fshehtësisë zyrtare”.

Gjykata thekson se sipas aktakuzës, i akuzuari Krasniqi pretendohet se ka zbuluar fshehtësi zyrtare duke ndarë informata me Mihalin, të cilat nuk kanë qenë publike, edhe pse nuk përcaktohet saktë dispozita ligjore ose vendimin mbi të cilin këto informata janë konsideruar si fshehtësi zyrtare.

“Nga përkufizimi që i është dhënë nocionit “fshehtësi zyrtare”, rezulton që për tu plotësuar elementet e veprës penale sipas paragrafi 1, informata ose dokumenti i dërguar duhet të jetë i shpallur si fshehtësi zyrtare, qotë përmes një ligji ose përmes një vendimi të një organi kompetent e që bazohet në ndonjë dispozitë ligjore, e gjithsesi zbulimi i saj të ketë shkaktuar apo mund të shkaktojë pasoja të dëmshme”, thuhet në vendim.

Andaj, sipas vendimit, Krasniqi në asnjë moment nuk është përcaktuar se ka bartuar informata të tilla (zyrtare) tek Dejona Mihali.

Sipas Gjykatës, informacionet në bisedat e cituara në aktakuzë nuk janë specifikuar si fshehtësi zyrtare dhe kjo me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se ka qenë  informatë- fshehtësi zyrtare.

Në rastin konkret, Gjykata vlerëson se dërgimi i këtyre informatave nga Krasniqi tek Mihali- e cila nuk ka ushtruar asnjë pozitë publike, mund të konsiderohet si shkelje e detyrave të punës dhe se kjo mund të jetë një shkelje e natyrës disiplinore, varësisht nga rregulloret e brendshme të KEK-ut.

“Nga të gjitha këto, Gjykata ka ardhur në përfundim se, veprimet e të akuzuarit, siç janë përshkruar në dispozitiv të pikës VI të aktakuzës, pra dërgimi i këtyrë informatave siç janë specifikuar në këtë pikë, nuk kanë qenë të shpallur me ligj e as me ndonjë vendim të ndonjë organi kompetent si fshehtësi zyrtare, e për rrjedhojë nuk i plotësojnë kushtet për tu konsideruar si vepër penale e Zbulim i fshehtësi zyrtare, nga neni 426, par. 1, të KPRK-s, dhe si të tilla këto veprime nuk përbëjnë vepër penale sipas këtij neni”, thuhet në vendim.

Kështu, Gjykata mori vendim që ta hudh aktakuzën për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe ta pushojë procedurën penale, me arsyetimin se vepra për të cilën ngarkohet Krasniqi, nuk përbën vepër penale.

Gjetjet e Gjykatës në raport me të akuzuarin Isuf Zejna:

Themelorja ka gjetur se pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit Zejna në këtë fazë të procedurës janë të pabazuara.

Sipas Gjykatës, dyshimi i bazuar në raport me këtë të akuzuar vërtetohet nga provat e listuara me rastin e arsyetimit të pikave për të akuzuarin Krasniqi.

“Kështu nga provat e bashkangjitura ka dyshim të bazuar se i akuzuari Isuf Zejna, i ka ndihmuar të akuzuarit Nagip për kryerjen e veprës penale si në aktakuzë. Pra, nga provat rrjedh se i akuzuari Nagip, përpara hapjes së procedurës së tenderimit për konsulentë ligjore ia kishte dërguar dosjen të akuzuarit Isuf, i cili pasi e shikon ia kthen dhe në fund edhe shpallet fitues i këtij tenderi për konsulencë ligjore, duke nënshkruar kontratë, Me këtë ka dyshim të bazuar mirë se i ka ndihmuar që ta keqpërdor pozitën zyrtare, të akuzuarit Nagip Krasniqi”, thuhet në vendim.

Dyshimi se i akuzuari ka kryer veprën penale të ndihmës, sipas Gjykatës, del nga fakti se i akuzuari Zejna kishte pranuar dosjen, dhe fakti se ai kishte mundësi ta shikojë, ndryshojë apo edhe ta përshtatë më së miri për kushtet dhe nevojat e tij, përbën dyshim të bazuar mirë se i ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Aty thuhet se ai paraprakisht i kishte në disponim termat e referencës për këtë tender, shpallet fituesi i tenderit me procedurë të negociuar dhe lidhë edhe kontratë.

Lidhur me atë se kontrata e nënshkruar nuk është zbatuar, Gjykata thotë se këto pretendime mund të vërtetohen vetëm pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor.

Në fund, Gjykata ka paraprë të drejtën në ankesë në afat prej 10 ditësh.

Në seancën fillestare të mbajtur më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm. I akuzuar në këtë rast është dhe Ymer Dragusha, mirëpo i njëjti ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Krasniqi akuzohej edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”. Dhe, Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

Pika e parë e dispozitivit të aktakuzës ngarkon Krasniqin që si kryeshef i KEK-ut dhe Dragusha si u.d i drejtorit të zyrës së prokurimit në periudhën kohore prej 17 janarit 2022 deri më 27 janar 2023, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër- në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S.A’’, t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë, si dhe t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës.

Aktakuza thotë se duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kalldasë blloku A5”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin  me nr.04/L-042 për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 27 dhjetor 2022, Krasniqi e fton në zyrën e tij të pandehurin Dragusha dhe dëshmitarin Emin Tmava, duke kërkuar nga ta që në kundërshtim me rregullat e LPP-së të fillojnë procedurën e hulumtimit të tregut, me qëllim që të fillojnë procedurën e negociuar për tenderin e lartcekur edhe përkundër faktit se i pandehuri Dragusha e vë në dijeni se një procedurë e tillë është në kundërshtim me rregullat e LPP-së.

Por, në aktakuzë thuhet se përkundër faktit se ishte në dijeni se ky veprim ishte i kundërligjshëm, sipas kërkesës së të pandehurit Krasniqi, i pandehuri  Dragusha kërkon nga zyrtari Tmava që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e OE “Intering’’, ‘’Monting Energjetika’’ dhe “Litwin S.A”, të cilët operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.

Kurse, më 29 dhjetor 2022, Krasniqi dhe Dragusha thuhet se në lidhje me tenderin për procedurë të negociuar, kanë zhvilluar negociata me operatorët ekonomikë të cekur më lartë, pa qenë anëtarë të komisionit për vlerësim-negocim dhe ende pa u bë njoftimi për shpallje në faqen e e-prokurimit të KRPP-së, ashtu që më 16 janar 2023 pas përfundimit të negociatave me këtë operator, ka bërë njoftimin për shpallje në e-prokurim, me ç ‘rast ka eliminuar nga gara operatorët ekonomikë “Intering” SH.P.K’’ dhe ‘’Monting Energjetika’’ me qëllim që ta favorizojë operatorin ekonomik “Litwin S.A”.

Aktakuza thotë se pas eliminimit të dy operatorëve të lartcekur, sipas vendimit të 20 janarit 2023, i pandehuri Krasniqi ka themeluar komisionin për vlerësimin-negocimin e ofertës për aktivitetin e prokurimit “Riparimi kapital emergjent i kalldasë blloku A5”, në përbërje të: Remzi Beshirit– kryetar i komisionit, Skender Isufit dhe Emin Tmavës, anëtarë, me qëllim të zhvillimit të negociatave me operatorin ekonomik “Litwin S.A”, të cilët në raportin e vlerësimit të 25 janarit 2023, kanë konstatuar se ky operator nuk i ka plotësuar kërkesat në dosje të tenderit si dhe nuk iu ka përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave, duke rekomanduar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, për shkak se operatori ekonomik kishte kërkuar ndryshimin e tri kushteve të tenderit dhe atë: zvogëlimin e garancisë bankare, zgjatjen e afatit për kryerje të punëve dhe uljen e përqindjes së penaltive.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 26 janar 2023, i pandehuri Nagip Kransiqi, përkundër faktit se ishte njoftuar me raportin e komisionit se operatori ekonomik në fjalë nuk i kishte plotësuar kushtet e tenderit, përmes e-mailit e konfirmon pranimin e kushteve të operatorin ekonomik “Litwin S.A” të paraqitura përmes e-mailit më 25 janar 2023, e urdhëron të pandehurin Dragusha që të nënshkruajë kontratën, e cila u nënshkrua më 27 janar 2024, ende pa u siguruar garancioni bankar i cili do të ekzekutohej në rast të dështimit të kontratës.

Andaj, si rezultat i veprimeve të të pandehurve për periudhën kohore 19 korrik 2022 deri më 6 maj 2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit, andaj KEK u detyrua që të importojë energji elektrike në sasi prej 890,016 MWh, duke i shkaktuar KEK-ut dhe buxhetit të Kosovës dëm në shkallë të madhe, në shumën prej 36 milionë e 349 mijë e 638 euro e 62 centë.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen se në periudhën dhjetor 2021 deri në prill 2023, me dashje, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, duke i tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim pasuror personit tjetër – operatorit ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C’’ dhe t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë që ushtrojnë veprimtari të tilla, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit i emërtuar si “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor”, në lidhje me tenderin e prokurimit me procedurë të negociuar, kanë lidhur kontratën me “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” në kundërshtim me rregullat e përcaktuara me LPP.

Aktakuza thotë se i pandehuri Nagip Krasniqi, pasi që më parë ishte konsultuar për termat e referencës me të pandehurin Isuf Zejna, aksionar i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, më 2 mars 2023 ka kërkuar nga i pandehuri Ymer Dragusha, që të iniciohet procedura e prokurimit të negociuar për angazhimin e konsulentit për këshillime në aspektin ligjor dhe të prokurimit për kryeshefin ekzekutiv dhe stafin e KEK-ut edhe përkundër faktit se në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponushmërisë së fondeve DNPDF nuk ishte e paraparë, duke e përcaktuar si operator të vetëm “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, me të cilin kishte raporte të ngushta shoqërore në njërën anë e në anën tjetër ky operator paraprakisht në një procedurë të hapur të prokurimit ishte shpallur i papërgjegjshëm, duke qenë në dijeni se për një proces të tillë sipas ligjit duhet të zhvillohet procedurë e hapur e prokurimit.

Tutje, thuhet se i pandehuri Ymer Dragusha, edhe përkundër faktit se ishte në dijeni se kërkesa e të pandehurit Nagip Krasniqi, ishte në kundërshtim me LPP-në, më 2 mars 2023, e fillon procedurën e prokurimit me titull “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor” përmes shkresës drejtuar KRPP-së. Aty thuhet se përkundër rekomandimit të KRPP-së, të 6 marsit 2023, që për këtë aktivitet duhet të zhvillohet procedurë e hapur, të pandehurit Krasniqi dhe  Dragusha, kanë zhvilluar procedurën e negocimit me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.

Andaj, thuhet se më 3 prill 2023 pas urdhrit të Krasniqit, i pandehuri Dragusha e nënshkruan kontratën me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” në vlerë prej 60 mijë euro.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën e tretë thuhet se Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha, gjatë muajit dhjetor 2022 e deri më 18 prill 2023 , me dashje në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim operatorit ekonomik  “Ergotem S.A”, duke ua shkel të drejtat e personave tjerë e duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të hapur, i emërtuar si “Pllakat rrëshqitëse në PF-kanalet e mullinjve të thëngjillit”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).

Fillimisht, thuhet se i pandehuri Krasniqi disa muaj pas njoftimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për tenderin e shënuar si më lartë, në mënyrë të kundërligjshme i fton në takim përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Ergotem S.A” nga Greqia, me qëllim që të zhvillojnë një vizitë në vendpunishten e KEK-ut dhe në kundërshtim me rregullat e LPP-së i urdhëron zyrtarët përgjegjës të KEK-ut, që t’ia dërgojnë specifikimet teknike të tenderit këtij operatori, ende pa u bërë shpallja e tenderit.

Tutje, sipas pikës së tretë të aktakuzës thuhet se Krasniqi më 15 dhjetor 2022 në mënyrë të kundërligjshme dhe në shkelje të parimit të barazisë dhe jo diskriminimit të  përcaktuar në nenin 7 të LPP-së,  në një procedurë të hapur ku nuk lejohet njoftimi paraprak i ofertuesve, i shkruan SMS të pandehurit Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallet më 16 dhjetor 2022, të ftohen operatori ekonomik ‘’SBB’’ dhe operatori ekonomik “Ergotem S.A”, duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj në të njëjtën datë bëhet shpallja e njoftimit për kontratë.

Tutje, thuhet se pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e komisionit vlerësues, operatori ekonomik ”Ergotem S.A” shpallet fitues i tenderit dhe ftohet për nënshkrim të kontratës, megjithatë para nënshkrimit të kontratës operatori ekonomik ‘’Ergotem S.A” kërkon nga KEK-u, ndryshimin e kushteve të tenderit, në veçanti lidhur me lartësinë e garancionit bankar që në dosje të tenderit ishte 50% kurse operatori ekonomik kërkonte që të jetë 10%,  për çka edhe të pandehurit Krasniqi dhe Dragusha më 21 mars 2023, në zyrat e KEK-ut, mbajnë një takim me përfaqësuesit e operatorit ekonomik dhe kundërligjshëm e pranojnë kërkesën e operatorit ekonomik.

Kështu që, thuhet se garancioni bankar nga 50% zbritet në 15%, me ç’rast më 7 prill 2023, nënshkruhet kontrata nga i pandehuri Ymer Dragusha, ndërsa më 18 prill 2023, nënshkruhet nga i pandehuri Nagip Krasniqi, në shumën 1 milion e 621 mijë e 544 euro e 20 centë.

Andaj, me këto veprime Krasniqi dhe Dragusha po ngarkohen me veprën penale në bashkëkryerje “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Në pikën e katërt të aktakuzës ngarkohen sërish Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha, ku thuhet se më 25 janar 2023, me dashje, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, pra i pandehuri Krasniqi si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut dhe i pandehuri Dragusha si u.d drejtor i zyrës së prokurimit, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim operatorit ekonomik “Tuv Hellas” dhe t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me LPP.

Sipas pikës së katërt të aktakuzës, thuhet se më 24 janar 2023 ende pa u bë shpallja e njoftimit për tender, i pandehuri Krasniqi, i shkruan të pandehurit Dragusha dhe kundërligjshëm e obligon që të kontaktojë me operatorin ekonomik “Tuv  Hellas” dhe ta ftojë që të aplikojë për tender të negociuar, mirëpo zyrtarët e KEK-ut fillimisht e njoftuan të pandehurin Krasniqi se ky veprim ishte në kundërshtim me nenin 7 të LPP-së, përkundër kësaj i pandehuri  Krasniqi, përmes e-mailit, e kërcënon zyrtarin Abedin Kabashi se do ta largojë nga  puna nëse nuk vepron sipas urdhrave të tij, andaj nën kërcënim dhe presion, zyrtarja Myrvete Gërguri, e kontakton kompaninë në fjalë dhe i ofron udhëzime të nevojshme se si të aplikojë në tender, krejt kjo një ditë para shpalljes së tenderit sepse më 25 janar 2023, bëhet njoftimi për shpalljen e tenderit në e-prokurim.

Tutje, thuhet se përkundër njoftimit nga zyrtarë përgjegjës se nuk mund të zhvillohet procedurë e negociuar në rastin e këtij tenderi, të pandehurit e kanë shpërfillur njoftimin dhe kanë vazhduar me procedurë të negociuar vetëm me operatorin ekonomik “TUV Hellas’’, të cilin veçse e kishte përzgjedhur i pandehuri Krasniqi, ende pa u shpallur tenderi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë procedurës së negocimit, të pandehurit në mënyrë të kundërligjshme i bëjnë favor këtij operatori duke ia zbritur kriterin tenderues të garancionit bankar nga 50% në 10% dhe përkundër faktit se operatori ekonomik kishte mungesë të dokumentacionit në dosjen e tenderit për pikat tenderuese si: referenca për punë, diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001, bazuar në faktin se gjatë procedurës negocimit i pandehuri Nagip Krasniqi, personalisht disa herë kishte pasur kontakte telefonike me përfaqësuesin e këtij operatori dhe duke qenë në dijeni për mangësitë që operatori ekonomik kishte në raport me kushtet e tenderit, vendosën që të nënshkruajnë kontratë me këtë operator më 30 mars 2023, në vlerë prej 628 mijë e 425 euro.

Për këto veprime, Krasniqi dhe Dragusha ngarkohen me veprën penale në bashkëkryerje “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Në pikën e pestë të aktakuzën, thuhet se i pandehuri Nagip Krasniqi më 25 nëntor 2022, me dashje, duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i mundësojë përfitim operatorit ekonomik “Bahri Asllan & FAM ” dhe t’ua shkel të drejtat e personave tjerë, në këtë rast operatorit ekonomik “Takraf” dhe t’i shkaktojë dëm buxhetit të Kosovës, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar i emërtuar si “Punë shtesë në riparimin e ekskavatorit E9 – Montimi i shtratit sferik”, ka shkelur rëndë rregullat e përcaktuara me LPP.

Aktakuza thotë se fillimisht ka urdhëruar aktivitetin e prokurimi të lartcekur, pastaj ka zhvilluar të ashtuquajturën ‘’faza fillestare të negociuara’’ me operatorin ekonomik  “Bahri Asllan & FAM”, mirëpo për shkak të kushteve të negocimit, i ka pezulluar negociatat me këtë operator dhe ka hapur negociata të reja me operatorin ekonomik “Takraf”, me të cilin pas disa takimeve më 26 korrik 2022 arriti një marrëveshje e cila nuk u ekzekutua menjëherë për shkak të kushteve në terren, andaj u shty deri në krijimin e kushteve atmosferike.

Aty thuhet se përkundër faktit që me operatorin ekonomik “Takraf”’, kishte një marrëveshje të dakorduar siç u përshkrua më lartë, i pandehuri Nagip Krasniqi, përmes zyrtares së tij i dërgon e-mail operatorit ekonomik “Bahri Asllan & FAM ” dhe e fton që të fillojë punën edhe pse nuk kishte ndonjë kontratë të nënshkruar më të, kështu që operatori ekonomik në fjalë, më 18 tetor 2022 kishte hyrë në vendpunishte, ndërsa pas një muaji, me datën 25 nëntor 2022, e nënshkruan një aneks-kontratë me këtë operator ne vlerë prej 279 mijë e 664 euro e 72 centë, vlerë kjo tri herë më e lartë se marrëveshja që kishte nënshkruar me operatorin ekonomik “Takraf”, duke e diskriminuar “Takraf” dhe duke i shkaktuar dëm në shkallë të madhe KEK-ut dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në vlerën mbi 90 mijë euro.

Andaj me këto veprime, Krasniqi po ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga komunikimet me Dejona Mihalin

Pika e gjashtë e aktakuzës, ngarkonte Nagip Krasniqin se në periudhën kohore 2022-2023, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK, duke i ndarë me personin jozyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në administratën shtetërore, e për të cilat informata kishte qasje si rezultat i detyrës së tij dhe të cilat nuk ishin publike.

Në aktakuzë thuhet se më 2 korrik 2022, në ora 8:21 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’, me Mihalin, i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it sipas marrëveshjes së datës 24 qershor 2022 në mes të KEK dhe KESH.  Kurse, më 22 prill 2022, në ora 06:25 PM, i pandehuri gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars- prill 2022, pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali ‘’Reporteri’’ me titullin “Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milion euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike’’.

Kurse, thuhet se më 24 shkurt 2022, në ora 7:59, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës  09.02.2023’’, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore si dhe termat e referencës për prokurimin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët”. Ndërsa, më 12 prill 2023 në ora 4:25 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit, një draft-autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit Gazmend Begolli.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 4 gusht 2022, në ora 3:59 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit, kërkesën drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës përkatësisht kryeministrit të Kosovës dhe ministrave të Qeverisë për plotësim/ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike. Kurse, më 29 shtator 2022 në ora 3:48 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’ me anëtarët e të njëjtit grup e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë tenderuesve të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit “Riparimi kapital i kalldasë dhe Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit”.

Aktakuza thotë se më 13 tetor 2022, në ora 7:17 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’, në grupin ku bënte pjesë Mihali, e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i komisionit të vlerësimit dhe negocimit Skender Isufi, në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga operatorët ekonomikë, si dhe komunikime tjera në këto platforma. Dhe se më 16 maj 2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit, një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: Driton Bytyqi, Emin Tmava dhe Mustafa Kavaja, pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 426, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të Kodit Penal.

Kurs, pika e shtatë e aktakuzës ngarkon Isuf Zejnën se gjatë dhjetorit 2021 e deri në prill të 2023-ës, në Prishtinë si përfaqësues i kompanisë “ Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, ka ndihmuar të pandehurin Krasniqi që ta keqpërdor detyrën zyrtare në lidhje me tenderin e titulluar “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor”.

Fillimish, thuhet se më 14 shkurt 2023 i ka ndihmuar Krasniqit në përgatitjen e termave të referencave në tenderin ku ka marrë pjesë vetë, kështu Krasniqi i ka dërguar fillimisht një draft të termave të referencës për tenderin të pandehurit Zejna, e ku ky i fundit ia kthen drafin Krasniqit dhe më pas Krasniqi të njëjtin e dërgon te Zyra e Prokurimit në KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti të prokurimit me procedurë të negociuar.

Tutje, sipas kësaj pike të aktakuzës, thuhet se më të kuptuar këtë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) i shënon KEK-ut shkresën përmes së cilës e rekomandon se kjo procedurë duhet të zhvillohet me procedurë të hapur me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës, mirëpo i pandehuri Krasniqi për shkak të raporteve të ngushta me të pandehurin Zejna, e injoron këtë rekomandim dhe më 3 prill 2023, e nënshkruan kontratën me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, respektivisht me të pandehurin Isuf Zejna, duke e shpërblyer me shumën prej 60 mijë euro.

Andaj me këto veprime, Zejna akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

Detajet nga deklarimet e të akuzuarve në Prokurori dhe Polici, si dhe detajet e tjera të aktakuzës, mund t’i gjeni: KËTU.

Kujtojmë se ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, edhe në një rast tjetër akuzohet për korrupsion, e për të cilën aktakuzë në seancën fillestare të 8 tetorit 2024 është deklaruar i pafajshëm.