Mbrojtësi i Romës, Mats Hummels, ka konfirmuar se do të tërhiqet nga futbolli në fund të sezonit 2024-25.
Qendërmbrojtësi 36-vjeçar, i cili ka pasur disa periudha të suksesshme me Borussia Dortmund dhe Bayern Munich, fitoi Kupën e Botës në vitin 2014, duke qenë titullar në fitoren e Gjermanisë ndaj Argjentinës në finalen e madhe.
Hummels iu bashkua Romës si lojtar i lirë verën e kaluar dhe ka zhvilluar 18 paraqitje për klubin italian, duke shënuar një gol.
Në një postim në rrjete sociale, ai u shpreh:
“Duhet shumë për të arritur këtu – të kesh trajnerët e duhur në momentin e duhur, të jesh në formë në kohën e duhur, të kesh bashkëlojtarët e duhur pranë. Kam parë shumë djem, shumë trajnerë, të cilëve u detyrohem shumë. Pa ta, karriera ime nuk do të kishte nisur kurrë ose nuk do të arrinte këtë nivel”.
Ai e përmbylli mesazhin e tij me fjalët:
“Do të më mungojë. Do të më mungojë tmerrësisht shumë”.
Gjatë karrierës së tij, Hummels ka fituar 15 trofe, përfshirë pesë tituj të Bundesligës, ndërsa ka qenë dy herë në finalen e Ligës së Kampionëve me Dortmundin, ku në të fundit – në vitin 2024 – u mposht nga Real Madrid.
Ai u rrit në akademinë e Bayern Munich dhe debutoi në ekipin e parë në vitin 2007, për t’u transferuar më pas te Dortmund në vitin 2008, fillimisht në huazim. Me klubin verdhezi, ai fitoi dy tituj radhazi të Bundesligës në 2011 dhe 2012.
Në vitin 2016, u rikthye te Bayern ku fitoi edhe tri tituj të tjerë kombëtarë, para se të kthehej për herë të dytë te Dortmund në 2019. Kalimi te Roma verën e kaluar shënoi edhe herën e parë që luajti jashtë Gjermanisë në karrierën e tij në klube.
Me kombëtaren gjermane, Hummels është paraqitur 78 herë nga viti 2010 deri në 2023, duke zhvilluar gjashtë ndeshje në Kupën e Botës 2014, ku Gjermania doli kampione./GazetaExpress/