string(58) "ilir-daja-afer-trofeve-edhe-ne-shqiperi-sic-beri-ne-kosove"

Ilir Daja afër trofeve edhe në Shqipëri, siç bëri në Kosovë

Futboll

Gazeta Express

23/04/2025 22:06

Trajneri Ilir Daja po shkruan një kapitull të ri në historinë e Dinamos së Tiranës. Me përvojën, qetësinë dhe vizionin e tij, Daja ka arritur të rikthejë “Blutë” në finalen e Kupës së Shqipërisë pas plot 15 vitesh mungesë, duke kurorëzuar një sezon që mund të jetë ndër më të suksesshmit në dekadat e fundit për klubin.

Dinamo mposhti Vllazninë me rezultatin dramatik 4-3 në gjysmëfinalen e kthimit, duke kaluar më tej me rezultatin e përgjithshëm 4-3, pas barazimit 0-0 në Shkodër. Ekipi i Dajës shkëlqeu në pjesën e parë dhe fillimin e të dytës, kur arriti të krijojë një epërsi të thellë 4-0. Por më pas ulja e ritmit e lejoi Vllazninë të rikthehej në lojë, duke shënuar tre gola dhe rihapur përkohësisht ndeshjen. Megjithatë, Dinamo ruajti epërsinë dhe siguroi finalen.

Lexo Edhe:

Kjo arritje është një tjetër tregues i ndikimit të menjëhershëm të trajnerit Ilir Daja. Pas suksesit të jashtëzakonshëm me Ballkanin e Suharekës – ku fitoi tre tituj radhazi në Kosovë dhe u fut dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës – Daja u rikthye te Dinamo, skuadra ku është shpallur kampion i Shqipërisë si futbollist dhe si trajner. Sot, ai po e ngjit sërish këtë klub në majat e futbollit shqiptar.

Ky është një sezon i jashtëzakonshëm për Dinamon: jo vetëm që ka siguruar një vend në Final Four për titullin kampion, por tashmë do të luftojë edhe për trofeun e Kupës së Shqipërisë.