Informacioni dhe dija teknike si asete strategjike të prodhimit - Gazeta Express
string(63) "informacioni-dhe-dija-teknike-si-asete-strategjike-te-prodhimit"

OP/ED

Gazeta Express

01/07/2024 14:17

Informacioni dhe dija teknike si asete strategjike të prodhimit

OP/ED

Gazeta Express

01/07/2024 14:17

Pronarët dhe menaxherët kosovarë nuk e trajtojnë informacionin teknik si një aset strategjik. Në vend që të gjenerohet nga brenda, informacioni teknik blihet nga jashtë. Për rrjedhojë, kostoja e projekteve investuese tek ne është shumë më e lartë se gjetiu….

Fadil Sahiti

Lexo Edhe:

Dëshmitë empirike sugjerojnë se firmat prodhuese në vendet në zhvillim, përfshirë Kosovën, janë teknikisht joefikase në përdorimin e teknologjive të importuara. Ky mosefikasitet teknik rrjedh kryesisht nga mungesa e investimeve në gjenerimin e informacionit teknik dhe në zhvillimin e aftësive të prodhimit.

Informacioni teknik është aset që u mundëson firmave të identifikojnë pajisjet që u nevojiten në procesin e prodhimit, ku mund t’i blejnë ato (furnizuesit), çfarë aftësish teknologjike nevojiten për përdorimin efikas të tyre, çfarë prototipe të produkteve kërkohen në treg, etj. Një sasi jo e vogël  e këtyre informatave mund të merret lehtësisht dhe pa ndonjë kosto të madhe nga burime të ndryshme: revista tregtare, panaire dhe simpoziume, përmes ndërveprimit me klientët, furnitorët, etj. Por kjo presupozon që firmat paraprakisht të posedojnë atë që njihet si ‘fond’ ose ‘bazë e dijes teknologjike’. Kjo dije lehtëson ndjeshëm procesin e përzgjedhjes, interpretimit, si dhe aplikimit efikas të pjesëve të informacionit të servirur nga këto burime. Sot, për shumë liderë industrial, baza e njohurive teknologjike përbën burimin kryesor të avantazhit konkurrues. Liderët e tregjeve industriale kanë informacion dhe dinë se çfarë aktiviteti teknologjik rrit fuqinë e tyre konkurruese.

Gjetjet nga një studim hulumtues me rreth 100 firma prodhuese sugjerojnë se menaxherët dhe pronarët e firmave kosovare nuk e konsiderojnë informacionin teknik si aset strategjik. Janë të rralla firmat që e kanë të institucionalizuar ‘bazën e dijes teknologjike’, mungesa e së cilës determinon koston e lartë të projekteve investuese. Në munges së fondit të dijes së brendshme, firmat kosovare detyrohen të blejnë informacione teknike nga agjenci të huaja, e shpesh zgjedhin të aplikojnë projekte investimi të tipit “turnkey”.

Arsyet se përse pronarët dhe menaxherët e firmave kosovare nuk e shohin informacionin dhe njohuritë teknike si asete strategjike mund të jenë të ndryshme. Por bazuar në të dhënat nga hulumtimi i lartpërmendur, tre mund të jenë arsyet kryesore. Së pari, menaxherët shpesh nuk e dinë sasinë, shtrirjen dhe natyrën e informacionit dhe njohurive teknike që zotërojnë; çfarë informacioni teknik u mungon; si dhe cilat standarde të aftësive teknologjike kërkohen në treg. Edhe kur e dinë se çfarë u mungon, shpesh nuk dinë si ta adresojnë mungesën. Kapërcimi i këtyre boshllëqeve kërkon kohë. Por ajo që është thelbësore për firmat tona është të “mësojnë si mësohet”. Këtu nuk ka asgjë pezhorative. Firmat duhet të mësojnë si absorbohen informatat që vijnë nga tregu. Nuk ka dyshim se në këtë proces ndihma e shtetit, përmes dizajnimit të politikave adekuate industriale, është thelbësore. Së dyti, mungesa e aftësisë për të absorbuar informata teknike i mban firmat larg trendeve të inovacionit teknologjik. Me përjashtim të disa firmave eksportuese, pjesa tjetër duket se nuk kanë interes të përcjellin progresin e teknologjisë industriale. Arsyeja e tretë lidhet me aksesin në teknologjinë industriale, të cilën do të përpiqem ta trajtoj në artikullin vijues.

Krahas mungesës së informacionit dhe njohurive teknike, firmat prodhuese kosovare përballen me mungesën e fondeve të favorshme financiare. Në mungesë të tregut të aksioneve (ekuiteteve), tregu financiar në Kosovë vazhdon të jetë i shtrenjtë dhe i kufizuar. Për biznesmenin kosovar banka mbetet i vetmi burim financimi.

Përpjekjet e qeverisë për të adresuar dështimet që ndodhin në tregun e brendshëm financiar nëpërmjet krijimit të “fondit sovran” mund të jetë një hap në drejtimin e duhur. Megjithatë, një projekt i tillë kërkon një mjedis politik dhe institucional të shoqërive skandinave. Nisur nga politizimi i skajshëm i çdo sfere të jetës sonë, veçanërisht niveli i lartë i korrupsionit, ka shumë gjasa që ky model të mos jetë as efektiv dhe as efikas. Një alternativë shumë më e mirë do të ishte modeli i SID bankës sllovene.

/Autori është profesor i menaxhmentit dhe ndërmarrësisë në Universitetin RIT të Kosovës (AUK). Së fundmi ka botuar: “Industrial Policies for Technological Upgrading in Western Balkan Countries: Economic Growth and Development”, Springer, Palgrave Macmillan, 2024

/Gazeta Express