Inspektorati për Trashëgimi Kulturore doli përsëri të martën për t’i ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Imer Hakaj, tha se për shkak të këtij projekti ka filluar që të ketë presion dhe t’i shkruajnë qytetarët edhe privatisht.
Ai tha se sipas hartave, në punime që janë duke u kryer ka tejkalim të autorizimeve.
“Urojmë që nga sot ata të qëndrojnë edhe jashtë orarit dhe të kryejnë punën e vet. Kjo komunë ka dërguar një kërkesë dhe obligohet të pres kërkesën për plotësim të dokumentacionit dhe të tërhiqet prapa, sepse është kaluar në personale. Kanë nisur që të më shkruajnë njerëzit edhe privatisht. Ju garantoj që asnjëherë askush nga niveli qendror nuk më ka thirrur. Jo me këtë qasje nuk kam ardhur të shtyhem personalisht. Për çdo gjë ju ftoj për vendimin, sipas hartave që i kemi, jemi të njoftuar që ka tejkalim të autorizimeve”, tha Hakaj.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj, fajësoi Institutin për mbrojtjen e monumenteve për situatën e krijuar në lidhje me projektin në sheshin “Xhorxh Bush”.
“Instituti për mbrojtjen e monumenteve është fajtor pse ne jemi sot këtu, sepse nuk është duke kryer punën e vet, nuk është duke e shqyrtuar kërkesën dhe projektin e Komunës së Prishtinës me profesionalizëm, por është duke bërë politikë. Ne nuk jemi duke bërë politikë këtu. Ne jemi duke realizuar këtë projekt në shesh për interes të qytetarëve të Prishtinës dhe kërkojmë na institucione që të mos bëjnë politikë me projekte”, tha Manaj.
Një ditë më parë, Komuna e Prishtinës rifilloi sot punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, me gjithë ndalimin dy herë të punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, duke i kërkuar Komunës që lënda për pajisje me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) të plotësohet.
Para disa ditësh, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka thënë se ndalimi i punimeve është i paligjshëm e se “arsyetimet për këtë ndërhyrje janë të pabazuara nga institucionet që duhet të jenë të pavarura e që po përdoren për qëllime politike”.
Sipas tij, ky veprim është ndërhyrje e qëllimshme, e cila cenon të drejtën e Prishtinës për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe kulturor.
Projekti i Komunës së Prishtinës është në vlerë 18.4 milionë euro./EO/