string(94) "intervista-kushtrim-koliqi-audienca-jone-tearore-eshte-spontane-e-pazhvilluar-dhe-e-paetabluar"

Intervista / Kushtrim Koliqi: «Audienca jonë teatrore është spontane, e pazhvilluar dhe e paetabluar»

Arte

Donjeta Abazi

29/09/2023 16:32

Bashkëbisedim me regjisorin dhe organizatorin e festivalit “Mirëdita, Doba dan”, Kushtrim Koliqin, i cili ka ka folur për punën e vet si regjisor dhe gjendjen e teatrit sot në vend, duke vënë thheksin sidomos te një nevojë urgjente e zhvillimit dhe mirëbajtjes së audiencës, praktikë tashmë e njohur në vendet e tjera; ai po ashtu ka folur shtruar edhe për fetivalin “Mirëdita, Dobar dan”, vështirësitë e organizimit, paragjykimet, fyrjet, protestat dhe urrjetjen ndëretnike që vazhdon të vlojë te të dy vendet 

Kushtrim Koliqi (1984), regjisor teatri dhe filmi, producent, botues dhe aktivist për të drejtat e njeriut, është regjisor shfaqjesh si: “Për kohë të vjetra”, “Hanibali i nëntokës”, “Çifti i hapur”, “Më afër”, “Mbas Zonjushës Julie”, “Kaligula”, “Unë jam vetë grua”, “La Rrem”, “Stiffler”, “Babai dhe babai”, etj. Më 2013 fitoi Çmimin Vjetor për Regjinë dhe Shfaqjen më të Mirë në Kosovë. Si aktivist i të drejtave të njeriut, K. Koliqi që nga viti 2003 është udhëheqës i organizatës “Integra”, e cila është e fokusuar në fushën e ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale, trashëgiminë e luftës, të drejtat e njeriut, kulturën, aktivizimin qytetar, të menduarit dhe të shkruarit kritik

Lexo Edhe:

Bashkëbisedoi: Donjeta Abazi

“Unë jam vetë grua”, është një shfaqja me regji të Kushtrim Koliqit, e adaptuar nga shfaqja me po të njëjtin titull, me tekst të autorit Doug Wright, e cila rrëfen historinë e Charlotte von Mahlsdorf. Ajo u realizua për publikun tonë në një kohë kur paragjykimet mbi komunitetin LGBTQ+ ishin dhe fatkeqësisht vazhdojnë të jenë tejet të mëdha.

«E lindur në vitin 1928, Mahlsdorf jetonte në një familje abuzive. Për shumë njerëz jo konform gjinor, veçanërisht ata që e shprehin këtë që në moshë të re, abuzimi është i zakonshëm. Megjithatë, situata e Mahlsdorf ishte kontekstualisht aq e keqe sa mund të ishte për Gjermaninë e fillimit të shekullit të njëzetë; babai i saj ishte nazist. Ajo vdiq në vitin 2002 dhe mbahet mend si aktivistja historike e komunitetit LGBTQ+ dhe një kuratore e veçantë e shekullit njëzet».

Koliqi tregon për fillesat e shfaqjes, ideja, pse kishte kaq rëndësi të vinte në Kosovë një shfaqje me një tematikë të tillë dhe si e priti publiku.

«Arsyeja e parë pse jam marrë me ‘I am my own wife’ është për shkak të temës, po flasim për sfidat e jashtëzakonshme të një transgjinore, Mahlsdorf, personazhit kryesor (të vetëm) dhe arsyeja e dytë, mënyra e shkrimit. Sepse shfaqja është monodramë, luhet veç nga një aktor, mirëpo janë mbi 40 personazhe në shfaqje. Këto kanë qenë arsyet pse kam dashur të merrem me këtë kategori të dramës që është monodrama. Edhe pse parimisht nuk jam adhurues i monodramave. Këto janë dy arsyet kryesore pse e kam punuar këtë shfaqje».

I njohur si artistë me qasje avangarde, të guximshme, provokative e krijuese, Koliqi të njëjtën do e promovojë edhe tek shfaqja ‘Unë jam vetë grua’

«Personazhi i Malhsdorf nuk është personazh bardhë e zi, prandaj më ka intriguar, nuk është i kategorizuar si personazh pozitiv ose negativ, ani pse unë nuk e shoh asnjë personazh si të tillë. Personazhi i saj është aq kompleks sa qe ka edhe mëkate ka edhe të mira, do të thotë i ka të gjitha hijet që i ka një person në jetën e përditshme; sepse në dramë personazhi përveç tjerash e vret babanë, është edhe vrasëse, e vret babanë e vet (me plot arsye)».

Po cilat janë të veçantat e personazhit? Dhe më tej, puna e Adrian Morinës dhe koncepti regjisorial?

«Kur Adriani (Adrian Morina, aktori i shfaqjes) më ka ofruar këtë tekst, sepse ai e njeh punën, idetë, stilin, shijet e mia, në ato që besoj, e kemi ditur që do të dalë një produksion i jashtëzakonshëm, jo veç për shkak të ekipit, por edhe për shkak të stories që e mban Malhsdorf. Prej kur kemi filluar të punojmë shfaqjen unë e kam pasur konceptin regjisorial shumë të qartë.

Kur kam vendosur për konceptin regjisorial është dashur të punohet me secilin personazh veç e veç, kuptohet disa personazhe kanë më shumë hapësirë disa kanë më pak; fillimisht i kemi qëndisë personazhet që kanë më pak hapësirë e mandej i kemi ndërtuar karakteret me më shumë hapësirë në shfaqje dhe kuptohet që fokusi kryesor ka qenë tek karakteri i personazhit të Charlotte von Mahlsdorf».

Koliqi tregon arsyen pse Adrian Morina i përgjigjet rolit kryesor.

«Për shkak të kërkesave të mia regjisoriale, Adriani ka qenë ndër aktorët e rrallë që do t’i përballonte konceptit dhe dramës, do të thotë të jetë në gjendje t’i luajë 40 personazhe brenda shfaqjes».

Provokimi i publikut, sistemi ‘vrasës’ i shoqërisë si pikë referimi për Koliqin

«Me këtë shfaqje kemi dashur të provokojmë njëjtë si me shfaqjet e tjera, të provokojmë fort edhe ta tronditim këtë audiencë e cila fatkeqësisht ende ka vlera dhe bindje patriarkale, ndaj këtyre grupeve të margjinalizuara, e që është e pamëshirshme. Ne kemi dashur ta shfrytëzojmë platformën e teatrit, ‘me ia dhanë fytyrës’ kësaj shoqërie gjithë atë dramë të Charlotte von Mahlsdorf.

Unë jam shumë i lumtur me impaktin e shfaqjes, besoj edhe e gjithë ekipi janë të kënaqur po ashtu».

Nga syri i regjisorit tek elementet teatrale, trajtimit të temës deri te skena përfundimtare.

«Nga fillimi e kam ditur se jam në kërkim të krijimit të një shfaqjeje minimaliste, të bazuar shumë në ndriçim, të bazuar në ndryshime të shpeshta të personazheve dhe të ndërtuar në zhanër jo të përcaktuar, por në një zhanër që rrjedh në mënyrë fluide dhe dalëngadalë e ndërtojmë emocionin, e krejt në fund e godasim publikun.

Shfaqja ka marrë kritika të jashtëzakonshme, Adriani ka fituar çmimin ‘aktori kryesor më i mirë’ atë vit që është prodhuar shfaqja, pra në vitin 2019.

Nuk është lehtë të merresh me disa tema ku gjithë rrjedha emocionale kundër bindjeve të caktuara është shumë e madhe. Me këtë prodhim kemi dalë kundër ‘mainstream’ të zakonshëm, kundër asaj se çfarë po ndodh në teatër, por edhe asaj çfarë njerëzit presin të shohin në teatër.

Shumë njerëz nuk janë ndier rehat kur e kanë pa shfaqjen, por në fund të fundit ky ishte qëllimi, dëshira jonë, që njerëzit kur e shohin këtë shfaqje të mos ndihen rehat me gjithë ato nuancat e një personazhi siç ishte Charlotte. E edhe skenat eksplicite edhe skenat që shkojnë afër trillerit i kemi bërë në mënyrën më të ‘trishtueshme’ të mundshme në mënyrë që t’i bëjmë njerëzit mos të ndihen rehat. Qëllimi është që audienca gjatë shfaqjes të arrijë ta kuptojë sa e vështirë është të jetosh si një person që i takon komunitetit (LGBT) sidomos në një ambient kaq armiqësor, në të gjitha domenet duke filluar nga ai familjar, shoqëror, shkollor, i drejtësisë etj., madje deri tek niveli politik. Edhe këtë parehati që kemi dashur t’ia servojmë audiencës e kemi mbërritur. Megjithatë, në fund, paragjykuesit duhet të kuptojnë që është jeta e secilit dhe secili vendos për jetën e vet përderisa askush nuk të cenon ose rrezikon».

Kundër paragjykimeve edhe në teatër, sidomos në teatër.

«Të gjithë jemi njerëz të barabartë dhe të gjithë i kemi njëlloj të drejtat e garantuara.

Komunitetin LGBT, pa pikë nevoje i kryqëzojmë, i gjykojmë, i vrasim për së gjalli, ua marrim frymën e ua ngushtojmë hapësirën. Ne nuk e kemi këtë mandat, e askush nuk mund të na japë atë të drejtë të veprojmë në këtë mënyrë.

Shfaqja ‘Unë jam vet grua’ ishte pjesë e paradës së Krenarisë në Kosovë dhe Shqipëri. Duke qenë shfaqje me tematikë që i mbijeton kohës, shfaqja ishte e ftuar edhe në Festivalin e Teatrove në Ferizaj këtë edicion».

Koliqi ka punaur deri më sot një mori shfaqjesh. Por, në mesin e tyre ka disa sosh që kanë kërkuar përkushtim përtej maksimales.

«“Për kohë të vjetra”, “Hanibali i nëntokës”, “Çifti i hapur”, “Më afër”, “Mbas Zonjushës Julie”, “Kaligula”, “Unë jam vetë grua”, “La Rrem”, “Stiffler”, “Babai dhe babai”, janë të gjitha këto dhe shfaqje të tjëra të cilat për regjisorin kanë qenë sfiduese në llojin e vetë. Tri nga këto shfaqje kanë sfidë tematikën por edhe personazhin».

‘La Rrem’

«Shumë varet nga tema që e trajton, p.sh. kur e kam punuar shfaqjen ‘La Rrem’ që i është kushtuar Muharrem Qenës, ajo ka qenë një barrë e jashtëzakonshme për shkak të personazhit.

E ke një lloj barre tejet të madhe, frika mos nuk po mbërrin ta personifikosh në shfaqje nivelin në të cilin ka qenë ai ose po i dëmton imazhin etj, kjo është një lloj brenge në vete».

‘Stiffler’

«Njëjtë ishte sfiduese edhe kur e kam punuar ‘Stiffler’ që fokusohet në punëtoret e seksit. Trajtohet një temë sensitive. Punëtoret e seksit në Kosovë janë të kriminalizuara si grup, por janë të penalizuara edhe prej vlerave morale idiotike që i kemi ne ndaj këtij grupi të caktuar shoqëror. Plus shfaqja ‘Stiffler’ e trajton problematiken që këto grupe i kanë me sistemin shëndetësor, sistemin e sigurisë, me domenin familjar dhe në fund vdesin vetë në morg. Këndi prej të cilit e kemi trajtuar ngjarjen në shfaqje, prej Doruntina Bashës si dramaturge e deri tek puna ime si regjisor, i paraqet në mënyrë brutale gjithë vuajtjet e Havës (personazhit kryesor).

Ne kemi pasur ngarkesa gjatë procesit të provave, aktorja Rebeka Qena por edhe aktorët tjerë kanë pasur momente kur kanë kërkuar që të ndalohet, sepse skenat kanë qenë shumë të vrazhda, kështu duke përjetuar edhe një lloj traume gjatë procesit».

‘Babai dhe Babai’

«Shfaqja ‘Babai dhe Babai’ që trajton temën e personave të pagjetur ka qenë shumë shfaqje emocionale. Në proces gjatë realizimit kemi pasur shumë tronditje, momente kur aktori është ndalë se nuk ka mund me e ndal vajin gjatë provave, pë shkak të stories shumë të dhimbshme».

Si regjisor i shfaqjeve që ka udhëtuar edhe jashtë Kosovës, Koliqi njeh mirë teatrin jashtë vendit tonë, nga infrastruktura deri tek koncepti i shfaqjeve. Ai ka një përgjigje të qartë rreth asaj se ku qëndron teatri ynë ne raport me rajonin.

«Kuptohet që infrastruktura na mungon, edhe Teatri Kombëtar kur ka qenë funksional ka pasur pak hapësira. Përkundër faktit që unë nuk jam i lumtur me trendet teatrore në Kosovë po flas përgjithësisht në gjithë Kosovën, megjithatë ka shfaqje e produksione të jashtëzakonshme. Duke qenë i angazhuar edhe në industrinë publike, në Teatrin Kombëtar, por edhe në industrinë e pavarur e di që ka shfaqje shumë të mira. Vlen të theksohet që serioziteti me të cilin punohet në industrinë e pavarur është për ta pasur lakmi, duek pasur parasysh faktin që mungon infrastruktura dhe financat janë vështirë për t’u siguruar».

Ka një përshtypje se skena teatrore, por edhe skenat e tjera, konkretisht meqë po flasim për teatrin, nuk e kanë një strategji të mirëfilltë të zhvillimit dhe mirëmbajtjes se audiencës. Çka i mungon skenës teatrore në Kosovë?

«Shtetet e tjera, në Angli për shembull, mblidhen ekspertët dhe krijojnë strategji së si të zhvillohet audienca dhe si të mirëmbahet ajo. Audienca tek ne është si të thuash, ‘kaotike’. Në shfaqjet që punoj unë kujdesem shumë për audiencën, punojmë për një target-audiencë të caktuar, këtë e bëjmë për shfaqjet tona, jo për të tjerat, sepse nuk e kemi atë mandat e as atë mision. Po besoj që kjo i mungon skenës teatrore në Kosovë. Ministria e Kulturës duhet të mundësojë diçka të tillë ose teatrot publike dhe të pavarura duhet ta kenë një mision të vazhdueshëm se të zhvillohet dhe mirëmbahet audienca. Sepse është e dhimbshme kur shohim nganjëherë shfaqje shumë të mirë dhe kanë shumë pak ose nuk kanë fare audiencë. Audiencën e kemi shumë spontane nuk e kemi të zhvilluar e të etabluar, po besoj në këtë aspekt duhet te punojmë më shumë.

Këto punë të mira që bëhen në teatër janë kryekëput rezultat i punës së aktorëve, regjisorëve dhe dashurisë së tyre për artin. Nuk mund ta marrë ‘të garantuar’ shteti ose shoqëria sepse kjo është bërë më shumë mund dhe duhet të mirëmbahet. Unë e di nëpër sa sfida kalojnë kolegët e mi e partnerët për të mbijetuar».

Nëse do ta përshtatnit ndonjë dramë nga autorë klasikë të teatrit, cila do të ishte dhe pse?

«‘Prometheu i lidhur’ është një nga veprat e jashtëzakonshme. Tani tek Shekspiri udhëtoj, nganjëherë me pëlqen ndonjë vepër më shumë nganjëherë më pak. Momentalisht po me pëlqen “Makbethi” por jo ta trajtoj në bazën që e ka trajtuar Shekspiri, do të doja ta trajtoja prej Lady Maktbeth edhe drama të titullohej ‘Lady Makbeth’ që personazhi kryesor i shfaqjes të cilën e punoj të jetë Lady Makbeth.

Këto dyja për shumë arsye, ‘Prometheu i lidhur’ dihet, revolucionari i përjetshëm i jashtëzakonshëm. Por kuptohet kjo duhet të përshtatet me rrethanat tona sepse unë besoj që revolucionët në kohën tonë duhet të jenë revolucione të vogla, revolucione në familje, revolucione në rrethin tonë. Pikërisht revolucionin pasi që e promovon, unë në konceptin tim do ta riktheja ne revolucion minimalist që neve na duhet si shoqëri. Sepse këto standardet e vlerat e trashëguara shumë vështirë i sfidojmë, sepse ndihemi komfort me këto parime të krijuara nga masa».

Koliqi e sheh ndryshe punën e të qenit regjisor, rëndësinë që regjisori i kushton elementeve brenda teatrit janë të domosdoshme për një fryt të suksesshëm.

«I takoj një kategorie të artistëve që artin nuk mund ta shohin veç prej këndit estetik. Kur merrem me një produkt artistik, duhet të gjej diçka që më mban të angazhuar ne temën që e trajtoj edhe në të njëjtën kohë duhet të gjej diçka më të cilin e ‘sulmoj’ audiencën.

Si regjisor unë e di saktësisht çka kërkoj në shfaqjet e mia; me shfaqjet e mia unë kam agjendë të caktuar, më secilën që e kam punuar e kam një agjendë, agjenda është që shfaqja ta ketë një mesazh të caktuar, një temë të caktuar, një tronditje të caktuar, në çfarë mënyre të servohet tek audienca».

Nga Teatri tek festivali

‘Mirdita, Dobar dan’, vështirësitë nëpër te cilat kaloni, për shkaqet qe tashmë janë të njohura, a ka pasur raste kur festivali ka qenë në prag te anulimit?

«Kur e kemi mbajtur edicionin e parë të ‘Mirëdita, Dobar dan’, eventi i parë ka qenë koncerti i Rona Nishliut në sallën e Filharmonisë së Beogradit, e kemi parë që e gjithë salla është e rrethuar me protestues. Kuptohet ajo ka qenë shumë e trishtueshme, ama kemi menduar që dalëngadalë, pas secilit vit do të kemi më pak protestues e më shumë dashamirës të artit, dashamirës të këtij misioni që e mban ‘Mirëdita, Dobar dan’, mirëpo jemi befasuar për keq që ende pas 10 vitesh, pas 10 edicionevshe, festivali nxit shumë reagime, shumë protesta, shumë kritika, nxit shumë urrejtje, nxit shumë fyerje, sharje, ofendime etj.

Secilin vit, reagimet në Serbi janë më të mëdha së në Kosovë. Në Serbi reagimet janë fizike, me protesta, hyjnë brenda në sallë, gjuajnë gaz lotësjellës, tentojnë ta shkatërrojnë eventin. Ne serish e vazhdojmë.

Herën e fundit që e kemi mbajtur në Beograd festivalin, pas fillimit të fjalimit (në agjendë ishte shfaqja ‘Stiffler’), përderisa unë po e mbaja fjalimin, erdhi kolegia më njoftoi që duhet ta lëshojmë, hapësirën sepse kishte kërcënime për bombë brenda, në sallë ishin 300-400 njerëz, fjalimi u desh të ndërpritet deri pas kontrollit të policisë.

Me vjen keq për frikën që marrinë, artistët, studentët, gazetarët, pjesëmarrësit e festivalit ndër vite».

I njohur si producent e regjisor i prodhimeve të ndryshme filmike që në thumb kanë tematikën e luftës së fundit në Kosovë, përfshirë këtu: “Njerëzit dhe kujtimet flasin” dhe “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, Koliqi rrefen për paragjykimet absurde që njerëzit kanë ngritur mbi festivalin ‘Mirëdita, Dobar dan’.

«Një moment që jam ndier keq është ky i fundit në Kosovë, kur një ose dy ditë para hapjes së festivalit ndodhi tragjedia në Beograd, ku u vranë fëmijët në shkollë. Ne partnerët ishim takuar dhe kishim vendosur që festivalin ta vazhdojmë. Kemi vendosur që në hapje ta mbajmë një minutë heshtje, e gjatë kohës së fjalimeve të ftohen ata që ishin prezent në sallë që pas eventit të ndezin qirinj para Teatrit Kombëtar në shenjë solidarizimi.

Nuk e kam pritur atë reagim jashtëzakonisht brutal ndaj neve si organizator ose njerëzve tjerë prezent aty. Befasuese më shumë së herave tjera është sepse fjalori i përdorur ka qenë makabër. Ofendime online kemi marrë zakonisht edhe në Kosovë. Nuk jam etiketuar veç unë si organizator i festivalit, nuk janë kursyer as pjesëtaret e stafit, madje, edhe artistët pjesëmarrës.

Megjithatë herën e fundit jam ndier keq, sepse pavarësisht pakënaqësive, në Kosovë çdo vit shihej progres tek masa, ndryshe nga Serbia ku atje kishte edhe protesta fizike».

Regjisori i shfaqjes që flet për personat e pagjetur në luftën e fundit në Kosovë, në konflikt mes revoltës së tij për bartjen e artit e të vërtetës dhe mentalitetit nacionalist.

«Me paralelen që ngrinin këta njerëz, mes fëmijëve të vrarë në Serbi, me viktimat tona gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte e gabuar, madje në një formë i keqpërdornin viktimat e vendit tonë.

E gjitha kjo nuk ndodhi vetëm nga njerëz të zakonshëm por edhe nga analistë, gazetarë et. Jam konfrontuar live me gazetarë, sepse qasja e tyre ishte totalisht banale, joprofesionale, jo etike, e pabazuar në evidencë, populiste, dogmatike.

Në të gjithë e dimë që Serbia është shembull i keq, pse duhet ta marrim ne shembullin e keq si shembull, Serbia është shembull i keq për të gjitha që kanë ndodhur gjatë luftës, për përgjegjësitë që i takojnë e nuk i ka marrë kurrë, për mënyrën së si Serbia e trajton fushën e ballafaqimit me të kaluarën, si e keqpërdor dhe manipulon atë.

Fatkeqësisht ‘Mirëdita, Dobar dan’ ka mbetur dritarja e vetme që të komunikojnë Kosova me Serbinë, ku popujt e të dy vendeve mund të shohin prodhime jo vetëm artistikisht të arritura por mund të dëgjojnë histori të ndryshme, të marrin pjesë në debate të cilat janë të bazuara në evidencë.

Misioni ynë në Serbi është i jashtëzakonshëm, as diplomatët e politikanët nuk arrijnë ta bëjnë këtë. Në Beograd e kemi dërguar historinë e Nënës Ferdonije, historinë e grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, të gjithë filmat e standardit të mirë që e kanë trajtuar luftën, kemi dërguar storie të personave të pagjetur.

Në Kosovë kemi sjellë intelektualë serbë që kanë qenë kundër Millosheviqit, madje kanë të shkruara libra, kanë fakte, evidenca, pikërisht për kohën kur ata ishin kundër regjimit të Millosheviqit e pro të drejtave tona si popull.

Tendenca jonë nuk është t’i barazojmë krimet me viktimat, edhe po deshëm nuk mund ta arrijmë këtë, e lëre më që nuk është kjo hiç agjendë e jona».

Planet individuale dhe me ‘Integra’….

«Jemi në proces të dramatizimit të veprës se Kadaresë ‘Kamarja e Turpit’, idenë bazë e kemi bashkë me Doruntina Bashen (dramaturgen). Me shfaqjet jemi duke vazhduar, tri shfaqjet që kemi pordhuar. ‘Babai dhe Babai’ do të shfaqet serish me 17-18 ndërsa me 20-21 jemi në Tiranë».

Qendra ‘Barabar’

«Integra me partnerin e saj ‘Kaza’ e ka hapur se voni qëndren ‘Barabar’, në katin e katërt të Hotelit ‘Grand’, është një hapësirë e sigurt për grupet që e kanë të veshtirë reprezantimin, këtu futen komunitetet e margjinalizuara, minoritetet etnike, artistët e pavarur etj. Jemi shumë të lumtur që prej momentit që e kemi hapur qendren kemi shumë aktivitete dhe kërkesa për bashkëpunime. Kjo qënder po e mbërrin profilin që ne e kemi synuar nga fillimi, pra të jete një hapësirë e sigurt.

Tash e kemi një ekspozitë të jashtëzakonshme të 21 artistëve të rinj të deshmuar, të artistëve vizuel që do të hapët më 4 tetor».

/Gazeta Express