string(64) "interviste-me-dukagjin-goranin-ta-heqim-qafe-telashen-me-serbine"

Intervistë me Dukagjin Goranin: Ta heqim qafe telashen me Serbinë

Lajme

Gazeta Express

17/02/2023 18:30

Intervistoi: Shpend Limoni

Dukagjin Gorani e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë vendi, tash që Perëndimi është duke e shtyrë drejt një ujdie me Serbinë, nga e cila thotë se s’do të fitojmë shumë. Por, gazetari i njohur kosovar, që ka përvojë edhe nga proceset negociatore Kosovë -Serbi, është i bindur se nëse Kosova nuk bën marrëveshje, vetëm ia zgjat krizën vetes.

Lexo Edhe:

Duke u përgjigjur në disa pyetje të Gazetës Express me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Gorani thekson se bota nuk i ka borxh Kosovës asgjë edhe nëse pajtohet që të bëjë marrëveshje.

“Bota nuk na ka detyruar të luftojmë kundër Jugosllavisë dhe Serbisë – kjo ka qenë vullnet yni, apo jo?”, shton ai.

“Andaj, në vend se të tjerrim biseda koti rreth garancive e anëtarësimeve, duhet të përqëndrohemi që së pari ta heqim qafe këtë telashe me Serbinë”, thekson tutje Gorani.

I pyetur nëse statusi i padefinuar në aspektin  ndërkombëtar ose mungesa e karrigës në OKB është ajo që e ka dërmuar më së shumti Kosovën, Gorani thotë se “mos -ekzistimi” në këtë organizatë shkakton pasoja, por është i bindur se është e kotë të fajësohen tjerët për “telashet tona”.

“Nëse dikur para botës e kemi arsyetuar mosdijen tonë me mungesë historike të mundësive zhvillimore, sot bota e sheh mosdijen tonë si zgjedhje tonën. Kur jeton në vend të lirë dhe të sigurt për gati çerek shekulli, arsyetimet më nuk pijnë ujë”.

Gazeta Express: Kosova po shënon 15 vjetorin e pavarësisë. Pavarësisht se ka mbi 100 njohje dhe një mendim të GJND’së se pavarësia nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare vendi po përballet me telashe që sipas shumëkujt vijnë nga fakti se Kosova nuk është një shtet anëtar i OKB’së. Sa ia vështirëson “jetën” Kosovës fakti që nuk është anëtare e familjes botërore të kombeve?

Gorani: Shpeshherë nuk hetohet me sy të përditshmërisë, porse mos-ekzistimi i Kosovës në OKB ka pasoja të rënda kolaterale, për faktin se vazhdojmë të shihemi si gjysëm-shtet me zhvillim të kufizueshëm. Është imazh i padobishëm ky. Shpeshherë, legjitimiteti nga OKB konsiderohet më shumë formal dhe jo dosido përmbajtësor, mirëpo janë pikërisht mungesat e këtyre formaliteteve ato që po na e nxijnë jetën tash e dy dekada. Të gjithë e dijmë se Kosova nuk e ka problem të jetë de-facto shtet. Por, është mospranimi i saj de-iure ajo që po na dhemb sot.

Gazeta Express: Një pyetje hipotetike, po të kishim një qeverisje efektive dhe me vizion të qartë nga shkurti i vitit 2008, a do të kishim telashe të kësaj natyre? A e ka penguar zhvillimin ekonomik, ngritjen e mirëqenies statusi i padefinuar ndërkombëtarisht?

Gorani: Qe, një përgjigje hipotetike: jo, s’do t’i kishim këto telashe dhe tashmë do ta kishim nivelin zhvillimor të afërt, së paku, me Kroacinë. Hipotetikisht, pra. Por, realisht, tash e sa kohë kam filluar të bindem se e meritojmë situatën në të cilën jemi. Është e kotë t’i fajësojmë të tjerët për telashet tona – madje, edhe nëse nuk jemi fajtorë për to. Është ky një leksion i hidhur të cilin popujt e vegjël si ne duhet ta mësojnë në botën reale. Telashet tona nuk na i zgjidhë kush tjetër, pos ne vet. Statusi ynë ndërkombëtar është i padefinuar meqë nuk ia dolëm ta zgjidhim telashen tonë me Dialogun me Serbinë, meqë dëshmuam shkallë të lartë të shpërdorimit të shtetit tonë të ri përmes praktikave korruptive dhe papërgjegjësisë publike – është listë e gjatë kjo. Nëse dikur para botës e kemi arsyetuar mosdijen tonë me mungesë historike të mundësive zhvillimore, sot bota e sheh mosdijen tonë si zgjedhje tonën. Kur jeton në vend të lirë dhe të sigurt për gati çerek shekulli, arsyetimet më nuk pijnë ujë.

Gazeta Express: A ka qenë lehtë e parashikueshme, sipas jush, para 15 vjetësh se Kosova do të përballet me probleme të kësaj natyre, dialogu me Serbinë, gjendja në Veri që përsëri lidhet me Serbinë, apo dukej se me shpalljen e shtetit dhe me gjithë atë mbështetje ndërkombëtare, gjërat do të shkonin në drejtim tjetër?

Gorani:  Sa për vete, gjithnjë e kam përjetuar shpalljen e pavarësisë si mënyrë përmes së cilës bota na ka detyruar të marrim përgjegjësi për veten dhe zhvillimin tonë. Tekefundit, për këtë edhe ekziston nocioni i pavarësimit. Mirëpo, si zakonisht, ne i deshtëm të shumtën privilegjet e pavarësisë – e jo edhe përgjegjësitë që vijnë me të. Andaj, këto 15 vitet e fundit e deformuam tejmase narrativin tonë politik e identitar, e i cili sot përbëhet njëkohësisht edhe nga frazeologjia mbi sovranitetin, edhe nga vajtimi ynë për mbrojtje ndërkombëtare. Në mënyrë gati zbavitëse, një shkarje e tillë kognitive shpërfaqet nëpër situatat si ato kur kryeministri i vendit është në gjendje që brenda një fjalie të vetme ta përfshijë edhe insistimin për sovranitet të plotë shtetëror, edhe nevojën për shtim të forcave ndërkombëtare të KFOR-it për ta ruajtur atë. Kam frikë se aq larg kemi shkuar në moskuptim të të drejtave dhe të përgjegjësive tona, sa që sot është tërësisht normale të dëgjosh dokrra e përralla politike nga nivelet më të larta udhëheqëse e shtetërore.

Gazeta Express: Tash ka një mobilizim ndërkombëtar, i krahasueshëm ndoshta vetëm me Konferencën e Rambujesë dhe Bisedimet e Vjenës për të arritur një marrëveshje Kosovë -Serbi mbi bazën e një plani franko-gjerman që nuk sjell njohje nga Serbia e as garanci për anëtarësim në OKB? Ku do ta çojë kjo Kosovën nëse ka ujdi?

Gorani: Nga ujdia me Serbinë nuk do të fitojmë shumë – por nga dështimi që të arrijmë marrëveshje mund të humbim tepër shumë. Mendoj se, fatkeqësisht, kemi arritur në këtë pikë, që të përqëndrohemi më shumë në atë që mund ta humbim sesa në atë që mund ta fitojmë.

Duhet ta kuptojmë se bota nuk na ka borxh ndonjë shpërblim nëse arrijmë marrëveshje me Serbinë. Bota nuk na ka detyruar të luftojmë kundër Jugosllavisë dhe Serbisë – kjo ka qenë vullnet yni, apo jo? Përkundrazi, bota ka intervenuar ushtarakisht që të çlirohemi. Por, borxh nuk na ka, larg asaj. Andaj, e gjithë kjo kryeneçësi e udhëheqjeve tona politike, gjithë këto kërkesa tona ndaj botës për përfitimet që i presim nga marrëveshja me Serbinë tingëllojnë absurde. Askush s’e ka me borxh të t’i zgjidhë problemet e tua. Nëse mendojmë që do të jetojmë më mirë përmes një marrëveshje me Serbinë, do të ishte mirë ta arrijmë. Nëse mendojmë se kësisoj, pa marrrëveshje, jetojmë më mirë, le t’ia bëjmë ashtu pra. Bota dhe miqtë janë të interesuar të na ndihmojnë në telashen tonë, por jo edhe ta zgjidhin atë në vend tonin.

Gazeta Express: A e keni një ide si mund ta evitojë Kosova veton e Rusisë dhe Kinës për ta siguruar ulësen në OKB?

Gorani: Jo, haber nuk kam. Është kjo sferë e politikës globale ku Kosova nuk ka pikë ndikimi. Mirëpo, ajo që mund ta bëjmë është të arrijmë marrëveshje efikase me Serbinë, të zhvillojmë shtet funksional dhe të kemi bashkëpunim rajonal e ndërkombëtar. Pastaj, do të jetë çështje e angazhimit tonë me aleatë e partnerë për ta gjetur mënyrën me efikase të përballjes instanca si Këshilli i Sigurimit apo me vetot ruse e kineze. Ne duhet t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë: duhet t’i bëjmë gjërat që mundemi, e jo të dërdëllisim kot për gjëra që s’na pyet kush.

Gazeta Express: Pasi që argumenti kryesor për marrëveshje Kosovë -Serbi është ecja e dy vendeve drejt BE’së, a mund të thuhet se Kosova do ta ketë më të lehtë të bëhet pjesë e BE’së pavarësisht 5 vendeve. Pyetja e njëjtë vlen edhe për anëtarësimin eventual në NATO?

Gorani: Këto pyetje lëjnë përshtypje kinse ekzistojnë alternativa për ne. Pyetje të këtilla janë shumë të shpeshta në komunikimin tonë publik dhe, në vete, e përmbajnë atë anomalinë kognitive për të cilin fola me herët – që lypësi mund të jetë njëkohësisht edhe zgjedhës. Ne ende nuk mund të udhëtojmë pa viza, e këndej diskutojmë nëse ia vlen të bëjmë marrëveshje pa garanci për anëtarësime në NATO apo në BE.

Qe, për shembull, ta paramendojmë se nuk do të ketë garanci për asnjë gjë: as për anëtarësim në NATO, as për BE, e as për njohje nga pesë shtetet mos-pranuese. Tash? Çka do të bëjmë? Të vazhdojmë me kryeneçësi të jetojmë kësisoj – të izoluar dhe pa mundësi zhvillimi? Kë do ta dëmtojmë me këtë, përveç vetes?

Askush nuk do të pësojë nga hamendjet dhe hezitimet tona, pos nesh. Këtë nuk po arrijmë ta kuptojmë dot. Bota nuk do të futet në krizë nëse Kosova nuk arrin marrëveshje me Serbinë, ne do të futemi. Andaj, në vend se të tjerrim biseda koti rreth garancive e anëtarësimeve, duhet të përqëndrohemi që së pari ta heqim qafe këtë telashe me Serbinë. Pastaj, duhet të merremi me telashet e tjera – t’i bindim shtetet e tjera të na njohin, etj. Telashet s’do të na mbarojnë kurrë dhe këtë duhet ta kuptojmë gjendje normale.

Gazeta Express: Tash kemi një qeveri që është skeptike në raport me ndërkombëtarët. A mendoni se për herë të parë mund të jemi në kolizion me Perëndimin apo edhe Kryeministri Kurti megjithë rezervat po bashkëpunon me Perëndimin?

Gorani: Mendoj se përgjigjen në këtë e dhashë me shpjegimet paraprake. Kemi moskuptim strukturor me Perëndimin për arsyet që përmenda. Qeveria dhe kryeministri vetëm sa po e shpërfaqin në vepër këtë deformitetin kognitiv i cili u ndërtua për vite të tëra në shoqërinë tonë. Nga njëra anë janë skeptiikë karshi Perëndimit, e nga ana tjetër mbeten tërësisht të varur prej tij për çështje jetike si siguria dhe zhvillimi ekonomik. Kjo s’mund të vazhdojë meqë nuk do të merremi seriozisht nga askush.

Partneriteti dhe aleancat e nënkuptojnë edhe marrjen e vendimeve të vështira – e ndoshta edhe të pafavorshme – nëse ato janë në shërbim të një perspektive të përbashkët zhvillimore. Kësisoj funksionon politika bashkëkohore e bashkësive ndër-shtetërore (BE, NATO, etj.) dhe na duhet që kësisoj ta kalibrojmë edhe logjikën tonë politike. Nuk ka tjetër. Nëse partnerët e tu pajtohen që duhet ta marrësh një vendim të vështirë, por që është i rëndësishëm për partneritet dhe për të ardhmen tënde, nuk duhet të ketë hezitim. As në rrafshin individual e personal nuk jetohet dot me skepsa e mosbesime, e lëre më në atë shoqëror e shtetëror. Nuk mund të hyni në aleanca e partneritete duke mos besuar në asgjë dhe në askë.

Nëse nuk i besojmë komunitetit politik perëndimor, atëherë cila na qenka alternativa? A jemi në gjendje që vet t’i zgjidhim problemet që kemi, pa ndihmë, pa ndërmjetësime e pa facilitime? Nëse po, do të ishte pikërisht Perëndimi ai që do të gëzohej më së shumti. Një kokëçarje më pak në botë për të. Por, ja që deri sot e dëshmuam se të vetmuar nuk mund ta administrojmë as veriun e vendit tonë.

Gazeta Express: Nëse nuk siguron njohje a mund të presim së paku në raportet Kosovë-Serbi me planin franko gjerman do të ndërpritet marrëdhënia toksike dhe destruktive mes dy vendeve?

Gorani: Përveç vdekjes, nuk ka gjë të garantuar në këtë dynja. E më së paku janë të garantuara marrëveshjet politike. Ato vlejnë për aq sa palët nënshkruese përkushtohen t’i jetësojnë. Nëse ne dhe Serbia vendosim t’i thellojmë armiqësitë, atë do ta bëjmë edhe nëse i nënshkruajmë njëqind marrëveshje paqësore e zhvillimore. Traktatet janë vetëm përpjekje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve të vjetra duke nisur marrëveshje/raporte të reja. Veçanërisht në politikë, asgjë nuk përfundon definitivisht – apo ‘njëherë e përgjithmonë’, qysh kemi dëshirë të themi. Neve, e qebesa edhe Serbisë, na duhet që këtë marrëdhënie ‘toksike’ që kemi ta ndërprejmë përmes një marrëveshjeje e cila do t’i hapte udhë bashkëpunimeve rajonale dhe normalizimit të situatës politike e të sigurisë mes nesh. Kjo nuk është pak. Madje, është tepër shumë – marrë parasysh historinë tonë politike të dekadave të kaluara.

Gazeta Express: A guxoni të bëni një parashikim për atë se ku do të jetë Kosova pas 15 vjetësh?

Gorani: Jo, nuk guxoj. Këtë guxim e kisha në qershorin 99, kur përplot vetëbesim thoja se për 20 vite Kosova do të jetë pjesë elitare e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe, ja ku jemi sot: ende s’mund të udhëtojmë pa viza. Më me dëshirë do të doja ta di se ku do të jemi pas 15 ditësh…