Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se sot bashkë me Prokurorinë Themelore në Gjakovë ka realizuar kontrolle në dy lokacione të ndryshme të rajonin e Gjakovës.
IPK thotë se këto kontrolle janë kryer në kuadër të një hetimi penal që është duke u zhvilluar ndaj disa zyrtarëve policorë, lidhur me dyshimet për përfshirje në veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Hetuesit e IPK’së kanë sekuestruar disa prova materiale që mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore.
Deri tani, IPK njofton se në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar katër zyrtarë policorë.
“Deri në këtë fazë të hetimit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve katër (4) zyrtarë policorë të dyshuar në praninë e mbrojtësve të tyre ligjor. Nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore Gjakovë pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera procedurale në përputhje me mandatin ligjor dhe autorizimet përkatëse. Pasi që veprimet hetimore janë akoma duke u ndërmarrë, për masat dhe veprimet tjera që do të ndërmerren mediet do të njoftohen më vonë.”