Një ish-lojtar i Chelseat është vendosur në “leje mjekësore” pasi u sulmua nga tifozët e vet në një incident tronditës.
Skuadra e Ligue 1, Nice, pësoi një humbje të rëndë 3-1 ndaj Lorient të dielën dhe rezultati nuk u prit aspak mirë nga tifozët e tyre.
Qindra tifozë të zemëruar të Nice konfrontuan autobusin e skuadrës kur ai u kthye në qendrën stërvitore të klubit të dielën mbrëma pas humbjes.
Kjo ishte humbja e tyre e gjashtë radhazi në të gjitha kompeticionet, me këtë rezultat të fundit që i la në vendin e 10-të në renditje. Ata janë gjithashtu në vend të fundit në Ligën e Evropës, pasi kanë humbur të pesë ndeshjet e tyre evropiane këtë sezon.
Pas humbjes ndaj Lorient, rreth 400 tifozë të Nice u mblodhën në qendrën stërvitore të klubit pasi ekipi ishte kthyer me avion në aeroportin e qytetit.
Ata u grumbulluan te hyrja e qendrës stërvitore, ku ishin të parkuara makinat e lojtarëve, duke penguar autobusin të hynte brenda.
Sipas “The Athletic”, disa lojtarë u sulmuan fizikisht, përfshirë ish-lojtarin e Chelseat, Jeremie Boga, i cili u rrit në akademinë e klubit para se të debutonte në Premierligë. Tifozët shënjestruan Bogën, si edhe Terem Moffi dhe drejtorin sportiv Florian Maurice.
28-vjeçari kishte zemëruar tifozët e Nice pasi u detyrua të kërkonte falje që kishte ftuar disa tifozë të Marseille në “Allianz Riviera” gjatë humbjes 5-1 muajin e kaluar.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shkroi: “Në asnjë moment, besomëni, nuk ka qenë qëllimi im të tregoj mungesë respekti ndaj tifozëve të Nice. Nuk e mbështes talljen apo mungesën e respektit ndaj OGC Nice. Megjithatë, e kuptoj zhgënjimin që mund të ketë shkaktuar kjo. Të gjithë atyre që mund t’i kem lënduar, u kërkoj ndjesë”.
Media franceze “RMC Sport” raporton se Boga është pështyrë, goditur me grusht e me shkelma në trup dhe në zonën intime, dhe është ofenduar – disa nga fyerjet kanë qenë raciste.
Siguria ishte e pamjaftueshme dhe personat e shënjestruar patën vështirësi të shmangnin pritën.
Portieri i Nice, Yehvann Diouf, në fund e shpëtoi Bogën duke e tërhequr në vend të sigurt.
Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë është vendosur më pas në leje mjekësore pasi u sulmua nga tifozët e Nice, sipas raportimeve.
Ai pritet të mungojë në ndeshjen e së dielës kundër Angers në kampionat./GazetaExpress/