string(106) "ish-punonjesi-i-burgut-te-dubraves-deklaron-se-nuk-e-njeh-te-akuzuarin-per-krime-lufte-gavilo-milosavleviq"

Lajme

Gazeta Express

30/04/2025 14:19

Ish-punonjësi i burgut të Dubravës deklaron se nuk e njeh të akuzuarin për krime lufte, Gavilo Milosavleviq

Lajme

Gazeta Express

30/04/2025 14:19

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit Gavrilo Milosavleviq, është dëgjuar dëshmitari Binak Bujupaj, i cili deklaroi se nuk e njeh të akuzuarin.

Në këtë rast, Gavrilo Milosavleviq në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Bujupaj u dëgjua si dëshmitar i propozuar nga pala mbrojtëse. Ai dëshmoi në cilësinë e ish-punëtorit në Burgun e Dubravës, ku kishte mbajtur disa pozita.

Gjatë dëshmisë, Bujupaj tha se ishte transferuar në paralelen e Gurrakocit.

Kur iu kërkua nga mbrojtësi i të akuzuarit Milosavleviq, avokati Dejan Vasiq që të shikojë të akuzuarin dhe të deklarojë nëse e njeh, dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.

“Unë nuk e njoh”, tha Bujupaj.

Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër i propozuar nga mbrojtje, pra dëshmitari Asllan Visoqi.

Por, për këtë dëshmitar, gjykatësi Vesel Ismaili njoftoi se i njëjti është ftuar dhe po ashtu është urdhëruar shoqërimi nga Policia, mirëpo sipas njoftimit nga Stacioni Policor në Istog, edhe pse dëshmitari ishte njoftuar praprakisht se do të shoqërohej në Gjykatë për dhënien e dëshmisë në këtë proces, ai ishte larguar nga shtëpia e tij.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civilë shqiptarë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëkryerje me njësitë policore serbe, Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.

Tutje, në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve, ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë, kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë.

Në aktakuzë përmendet se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga, ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se rojet kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ia kishin ndalur frymëmarrjen.

Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.