string(65) "izraeli-shpeshton-sulmet-ne-gaze-teksa-godet-me-raketa-nje-spital"

Izraeli shpeshton sulmet në Gazë, teksa godet me raketa një spital

Lajme

Gazeta Express

13/04/2025 12:06

Izraeli e ka goditur me raketa një spital në veri të Gazës mëngjesin e së dielës, duke i detyruar pacientët të evakuohen. Sulmet e ushtrisë izraelite janë shpeshtuar në të gjithë Rripin e Gazës ditët e fundit.

Sulmi ndaj Spitalit Al-Ahli në qytetin e Gazës u krye para agimit, pasi Izraeli kishte lëshuar një paralajmërim për evakuim, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Lexo Edhe:

Një pacient vdiq gjatë evakuimit, pasi stafi mjekësor nuk arriti t’i jepte kujdes të menjëhershëm mjekësor, sipas Ministrisë.

Spitali, i cili drejtohet nga Dioqeza e Jerusalemit, u sulmua në Ditën e Palmave, që përkujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem.

Disa orë më vonë, një sulm i tjetër ndaj një veture në Deir al-Balah, në Gazën qendrore, vrau të paktën shtatë njerëz, sipas stafit të morgut të Spitalit të Dëshmorëve të Al-Aqsas, i cili pranoi trupat.

Izraeli tha se e ka goditur një qendër komande dhe kontrolli në këtë spital, e cila përdoret nga Hamasi për të planifikuar dhe ekzekutuar sulme kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë.

Izraeli pretendoi se përpara se të kryente sulmet ndërmori hapa për t’i minimizuar dëmet, përfshirë paralajmërime, përdorimin e municioneve precize dhe vëzhgimin ajror.

Sulmet ndodhën disa orë pasi ministri i Mbrojtjes i Izraelit deklaroi se aktivitetet ushtarake do të zgjerohen me shpejtësi në të gjithë Gazën dhe se njerëzit do të duhet të evakuohen nga “zonat e luftës”.

Të shtunën, ushtria izraelite tha se e ka kompletuar rrethimin e qytetit Rafah në Rripin e Gazës, në përpjekje për të marrë nën kontroll sa më shumë pjesë të enklavës palestineze.

Izraeli e nisi luftën në Gazë pas sulmit të grupit militant palestinez Hamas në jug të Izraeli më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 251 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Prej atëherë, më shumë se 50.000 palestinezë janë vrarë nga lufta izraelite, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavën e kontrolluar nga Hamasi. Shumica e popullsisë është zhvendosur dhe pjesa më e madhe e Gazës është rrënuar.

Izraeli e rifilloi ofensivën Gazë në mars, pasi e braktisi armëpushimin që ishte në fuqi që nga janari. Sipas Izraelit, fushata do të vazhdojë derisa të lirohen 59 pengjet e mbetura dhe Hamasi të zhduket nga Gaza.

Hamasi ka thënë se do t’i lirojë pengjet vetëm në përputhje me një marrëveshje që do t’i japë fund luftës dhe nuk i ka pranuar kërkesat për t’i dorëzuar armët. /REL