“Jetoj çdo ditë me vuajtjet e pacientëve”, Edmond Gashi flet për herë të parë: Jam profesionist, në punë udhëhiqem nga betimi i Hipokratit - Gazeta Express
string(133) "jetoj-cdo-dite-me-vuajtjet-e-pacienteve-edmond-gashi-flet-per-here-te-pare-jam-profesionist-ne-pune-udhehiqem-nga-betimi-i-hipokratit"

Shqiperi

Gazeta Express

29/06/2024 10:51

“Jetoj çdo ditë me vuajtjet e pacientëve”, Edmond Gashi flet për herë të parë: Jam profesionist, në punë udhëhiqem nga betimi i Hipokratit

Shqiperi

Gazeta Express

29/06/2024 10:51

Mjeku Edmond Gashi, nën hetim për skandalin e Onkologjikut ka thyer heshtejn pas akuzave që rëndojnë ndaj tij.

Përmes një reagimi në Facebook, Gashi thotë se në punën e tij si mjek udhëhiqet nga betimi i Hipokratit. Ai mohon akuzat dhe pretendon se emri i tij po përdoret për interesa okulte.

Lexo Edhe:

Gashi: Ndjej detyrimin dhe përgjegjësinë morale para familjes time, pacientëve, kolegëve dhe stafit mjekësor të Onkologjikut, qytetarëve të vendit tim, të sqaroj disa të pavërteta të nxitura nga portale anonime dhe gazetarë keqdashës në adresë të personit tim. E kam thënë që në krye të herës dhe e përsëris, si mjek udhëhiqem në punën time nga ai betim që më shoqëron prej ditës së parë që kam hedhur mantelin e bardhë mbi supe. Mjeku bën detyrën e tij që është trajtimi dhe referimi i pacientit për çdo rast që paraqitet për një problematikë shëndetësore. Mjeku nuk di ta mbyllë telefonin apo derën e dhomës së vizitave e konsultave. Mjeku nuk ka orar pune, por përgjigjet atëherë kur pacienti e kërkon që të luftojnë të dy së bashku sëmundjen. Si mjek kirurg kam përballuar numrin më të madh të ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin publik dhe 90% e tyre janë operacione të suksesshme. I ka të dhënat Onkologjiku dhe QSUT-ja, verifikojini dhe binduni për çdo dyshim. Distancohem ndaj çdo tendence keqpërdorimi të emrit tim nga interesa të mirëfillta okulte.

Ai thotë se ka besim tek institucionet e drejtësisë dhe beson se e vërteta do të zbardhet. Gjithashtu sqaron pse u “arratis” nga dyert e Gjykatës dy ditë më parë, kur u njoh me masën e sigurisë.

Gashi: Le t’ia lëmë hetimit të zbardhë të vërtetën, besimi im ndaj institucioneve ka qenë dhe mbetet primar. Jo pa qëllim ditën e djeshme unë kam mbërritur para ambienteve të Gjykatës në orarin e përcaktuar nga kjo Gjykatë, duke iu përgjigjur hetimit dhe institucioneve. Sërish u sulmova dhe atakova padrejtësisht pse me mua nuk ishte edhe Policia(?) Kësaj nuk di t’i jap shpjegim. Unë respektova orarin dhe u gjenda aty në përgjigje të institucionit. Në përfundim të seancës, po njësoj jam larguar nga ambientet e Gjykatës dhe dikujt mund të mos i ketë pëlqyer pse zgjodha derën tjetër. Gjykova se është më e drejtë të shmang të gjitha ato “topa balte” të pamerituara që janë lëshuar e lëshohen drejt meje. Kam respektuar masen e caktuar nga Gjykata. Oficeri i Policisë ka trokitur në derën time dhe unë kam qenë në banesë, është lehtësisht e verifikueshme. Por siç duket mediave që shpifin dhe përbaltin, faktet nuk i interesojnë.

Gashi shkruan se po tentohet që të denigrohet figura e një mjeku profesionist, i cili ka pasur derën të hapur për qindra pacientë. Sa i përket akuzave se dërgonte pacientët në klinikën e tij private, Gashi thotë se është e drejtë e pacientit të zgjedhë ku do të trajtohet.

Gashi: Kam pritur të ndalet mllefi i pakuptimë ndaj një mjeku, prindi dhe familjari, por jo. E jam i bindur se as nuk do të ndalet edhe pas këtij momenti që po bëj reagimin e parë publik. Portale, media apo gazetarë me qëllime dhe mision të mirëfilltë dashakeqës po tentojnë të shantazhojnë drejtësinë dhe ta kthejnë atë në “mashë” në duart e veta, për realizimin e asaj që është lehtësisht e kuptueshme pse po e bëjnë. Po tentohet te denigrojn figuren e një mjeku, një profesionisti të shëndetësisë që ka qenë derë e hapur për qindra pacientë dhe që ka vuajtur njësoj me dhimbjet e pacientit. Trajtimi shëndetësor i një pacienti në klinikë private është zgjedhje dhe e drejtë e tij. Mjeku ka për detyrë t’i përgjigjet njësoj, me të njëjtin përkushtim si në shtet ashtu edhe në privat. Ligji dhe statusi i mjekut nuk e ndalon një mjek të punojë në shtet dhe në privat. Ndjej keqardhje për këtë keqkuptim të krijuar dhe përhapur qëllimisht për interesa të kush e di se kujt.

Si qenie njerëzore edhe mjeku është i gabueshëm, shton Gashi, duke deklarurar se është e vështirë të luftosh me sëmundjen. Në fund bën thirrje për hetim të plotë tek Onkologjiku për të parë se çfarë nuk funksionon.

Gashi: Nuk synoj që, nga këto radhë shkrimi sqarues, t’iu mbyllet goja pasionantëve të sharjeve në rrjet. Sharësit do vijojnë të shohin të bardhën të zezë, të mbjellin mjegull, të shtrembërojnë të vërtetën. Intensiteti i sharjeve edhe mund të rritet nga mendjet e ngrysura dhe të errësuara nga urrejtja patologjike që po na avitet si shpagim për “mëkatet” dhe “krimet” e pakryera. Si qenie njerëzore edhe mjeku është i gabueshëm. Të luftosh me sëmundjen e dukshme dhe të padukshme, me plagët e vuajtjes çdo ditë, me qindra pacientë, të cilët shpresën e vetme e shohin te mjeku, nuk është aspak e lehtë. Ma besoni! Po të trajtohet drejt dhe të ketë vullnet për të çuar në dritën e transparencës çfarë nuk funksionon te Onkologjiku, le të bëhet hetim i gjithanshëm dhe i plotë. Nuk jam në pozicionin e akuzuesit e as të denoncuesit, i takon drejtësisë të zbardhë të vërtetën dhe në fund të bëjë atë që i takon: Drejtësi! Gjej rastin të falenderoj nga zemra qindra pacient që më shkruajn çdo ditë në emër të punës dhe përkushtimit tim si Mjek.