Davide Frattesi pritet të largohet nga Interi në këtë afat kalimtar. Mesfushori italian nuk ka qenë i grumbulluar në transfertën e fundit ndaj Parmës dhe nuk do të jetë i disponueshëm as për supersfidën kundër Napolit në “San Siro”, çka e forcon bindjen se e ardhmja e tij është larg Milanos.
Zikaltërit kanë vendosur çmimin prej 35 milionë eurosh për kartonin e 25-vjeçarit, ndërsa interesimi nuk mungon. Galatasaray ishte klubi i parë që tentoi konkretisht, duke propozuar një huazim prej 5 milionë eurosh me opsion blerjeje për 30 milionë.
Megjithatë, bisedimet u bllokuan për shkak të formulës (opsion apo detyrim blerjeje) dhe përfundimisht dështuan, siç ka pranuar edhe trajneri Okan Buruk. Prioriteti i klubit turk mbetet një mesfushor më defensiv, si Ederson i Atalantës.
Nga Turqia në Angli, në skenë ka dalë edhe Nottingham Forest, që ka zhvilluar kontakte eksploruese me Interin ditët e fundit dhe pritet t’i thellojë ato. Megjithatë, sinjalet tregojnë se Frattesi preferon të qëndrojë në Itali, edhe për të rritur shanset për një thirrje në Kombëtare dhe objektivin e Botërorit.
Në këtë kontekst, mesfushori është duke pritur Juventusin. Bardhezinjtë e vlerësojnë prej kohësh, veçanërisht për kontributin e tij në ekipin kombëtar, por Interi nuk është i prirur të forcojë një rival direkt. Zikaltërit do ta shqyrtonin një transferim drejt “Zonjës së Vjetër” vetëm nëse do të ishte huazim me detyrim blerjeje.
Situata mbetet e hapur dhe pritet të mos zgjidhet shpejt. Frattesi po pret lëvizjen e Juventusit, por nuk do të mbyllte derën as për Napolin apo Romën, klube që kanë shfaqur interes edhe më herët. /GazetaExpress
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...