Juventusi dhe Barcelona janë duke e shqyrtuar opsionin për t’i shkëmbyer Douglas Costan me Ivan Rakiticin gjatë afatit kalimtar të verës, sipas mediumeve spanjolle.
Dy gjigantet e Evropës vazhdimisht përfliten për bashkëpunim sa i përket transferimeve. Kjo gjë ndodhi edhe gjatë afatit kalimtar të janarit, por në fund nuk u arrit asnjë marrëveshje, transmeton Gazeta Express.
Tani, televizioni spanjoll TV3 raporton se Barcelona dhe Juventusi janë duke planifikuar të bëjnë biznes së bashku gjatë afatit kalimtar të verës, përfshirë këtu një shkëmbim mes Douglas Costas dhe Ivan Rakiticit.
Juventusi ka qenë i përfolur që një kohë të gjatë për transferimin e mesfushorit kroat. Fillimisht ishte përfolur se ai mund të vijë në Allianz duke e shkëmbyer me Federico Bernardeschin e jo me anësorin brazilian, Costan.
Megjithatë, drejtuesit dhe trajneri i Barcelonës, Quique Setien, raportohet se do të ishin më të gatshëm ta pranonin ofertën për shkëmbimin e Rakiticit me 29-vjeçarin Costa, përkundër historikut të tij me lëndime të shumta.
Costa ka munguar në shumë ndeshje të këtij sezoni për shkak të një numri të madh të lëndimeve muskulore dhe kjo ka bërë që Juventusi të jetë i gatshëm ta lërë të largohet ish-lojtarin e Bayern Munichut. /Gazeta Express/