Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka nisur vizitën e saj të parë në Ballkanin Perëndimor që nga marrja e detyrës. Kryediplomatja europiane do të qëndrojë sot në Podgoricë, ku do të takohet me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe kryeministrin Millojko Spajiç.
Të martën, Kallas do të udhëtojë drejt Tiranës, ku do të zhvillojë takime me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, dhe kryeministrin Edi Rama. Gjatë vizitës në kryeqytetin shqiptar, Kallas dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Po ashtu, Kallas do të takohet edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, si dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu. Gjatë kësaj vizite, do të hapet dialogu i parë BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen, një hap i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.