string(109) "kaloi-shpenzimet-e-preku-milionat-kompania-per-menaxhimin-e-deponive-ne-kosove-deshtoi-ne-mirembajtjen-e-tyre"

Kaloi shpenzimet e preku milionat, kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë dështoi në mirëmbajtjen e tyre

Lajme

Gazeta Express

31/03/2025 8:18

Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë nuk ka arritur të bëjë menaxhimin e kontratës sipas kërkesave ligjore rreth mirëmbajtjes dhe riparimit të infrastrukturës në deponitë sanitare.

Këtë e ka treguar në raportin e saj për periudhën 2021-2023 Zyra Kombëtare e Auditimit.

Lexo Edhe:

Sipas raportit, autoriteti kontraktues mund të lejojë tejkalimin e sasisë së dakorduar deri në 30 për qind, me ligj ky është limiti.

Megjithatë, nga mbi 300 mijë euro sa ishte vlera e kontraktimit për angazhimin e Kamionit me kontejnerë për bartje te mbeturinave, shuma e shpenzuar është mbi 153 mijë euro. Furnizimi me sasi dheu për mbulimin e mbeturinave me të gjitha shpenzimet parashihej që të mbulohej nga 70 mijë euro e në të vërtetë, kaloi shumën prej 200 mijë eurosh.

E vlera në total e shpenzimeve që parashihej të ishte 300 mijë euro, kaloi milionat.

“Kemi identifikuar se Kompania gjatë realizimit të kontratës “Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit të KMDK-së›› nuk kishte arritur të realizoj kontratën sipas kushteve të kontraktuara. Pra, nga nënshkrimi i kontratës në shtator të vitit 2021 deri në qershor të vitit 2023, kemi identifikuar që sasitë e kontraktuara ishin tejkaluar dukshëm në tetë (8) pozicione të kontratës. Pra, vlera e sasive të kontraktuara ishte 304 mijë euro ndërsa vlera e sasive që janë shpenzuar ishte 1.3 milion euro”, raporton Dukagjini.

Me këtë, ZKA ka konstatuar se kjo vinte si pasojë e planifikimit jo të mirë duke shtuar shpenzime të panevojshme si dhe rritjen e mundësisë për manipulime me sasi apo shërbime të pranuara.

“Realizimi i kontratës kornizë për Mirëmbajtjen e Deponive Sanitare dhe Stacioneve të Transferit kishte mungesë të dokumentimit dhe mospërputhje të konsiderueshme midis sasive të faturuara dhe atyre të dokumentuara për zhavorr dhe orët e punës së makinerive. Pjesë të konsiderueshme të punëve dhe furnizimeve të pranuara mungojnë në dokumentacion, duke rezultuar në vlera të faturuara të pajustifikuara. Emërimi i të njëjtit zyrtar si iniciues i procedurës së prokurimit, hartues i paramasës dhe menaxher i kontratës për kontratën kornizë të mirëmbajtjes së deponive sanitare ishte në kundërshtim me parimet e ndarjes se detyrave siç përcaktohej me kornizën ligjore të aplikueshme në atë kohë. Në 11 raste kemi vërejtur se raportet e pranimit ishin nënshkruar nga personeli i kompanisë mirëpo kompania nuk ka arritur të na ofroj dëshmi se nga kush janë themeluar ato komisione të pranimit. Pra, pagesat janë certifikuar për punë të pranuara nga komisione që nuk janë caktuar me vendim të Kryeshefit Ekzekutiv”.

Në rastin konkret kur punët janë pranuar nga personeli i deponisë pa vendime konkrete të dala nga Kryeshefi ekzekutiv tregon dobësi në sistemin e kontrollit të brendshëm.

ZKA ka rekomanduar që është e nevojshme të forcohet sistemi i kontrollit të brendshëm dhe të dokumentohen furnizimet, gërshetuar me kërkesat kontraktuale, të përmirësohet monitorimi i kontratave ashtu që mos të kalohet 30%-shi i vlerës.