string(32) "kapardisja-e-nje-lideri-te-vogel"

Kapardisja e një Lideri të vogël

OP/ED

Gazeta Express

09/04/2025 14:11

Shkruan: Ermal Mulosmani

Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, për 4 partitë kryesore shqiptare, votuan 71,158 më shumë njerëz sesa 4 vjet më parë. Këto vota, më së shumti shkuan për tre Partitë e Opozitës ku rritjen më të madhe e pati LDK me 60,372 vota.

Lexo Edhe:

Por Partitë Opozitare nuk morën vetëm këto 71 mijë vota të reja. Ato e gërryen Vetvendosjen e Kurtit edhe për 41,548 vota nga rezultati historik i 2021-shit.

Në total, rezultati i tre Partive Opozitare ishte 37,300 vota më shumë sesa Vetvendosja. (PDK+LADK+AAK kanë marrë 434,087 vota ndërsa VV ka marrë 396,787). Në numër deputetësh, Opozita ka marrë 52 mandate, VV ka marrë 48 mandate.

Kjo është rezymeja e votave. Por çfarë po ndodh në realitet?

Albin Kurti, Kryetari i Partisë fituese që ka siguruar 48 mandate, është edhe mandatari i formimit të Qeverisë së re. Ai duhet të gjejë edhe 13 deputetë të tjerë, ku të mundet, që të marrë votëbesimin. 10 prej tyre janë pothuaj të sigurtë. Janë pakicat joserbe. Ai minoritet, paçka se nuk kanë në total më shumë sesa 20,000 vota, marrin 10 deputetë me Kushtetutë. 10 të tjerë janë të komunitetit serbë.

U duk në fillim që Kurti e arriti shumicën përmes 3 votave të Fatmir Limajt, pjesëmarrës në koalicion me Ramush Haradinajn në siglën AAK. Por në realitet duket se ka vështirësi. Dhe vështirësitë janë edhe për ato votat e komunitetit joserb. Situata është e bllokuar.

*******

Kosova është e ndarë thellësisht me një retorikë morale. Janë 396 mijë Vetvendosësit e Kurtit që luftojnë për vlera të larta si dashuria për atdheun, sakrifica, pastërtia morale dhe progresi i Kosovës ndaj 434,087 hajdutëve, imoralëve, frikacakëve, tradhtarëve  të krahut tjetër.

Megjithëse kanë 4 vjet që qeverisin, VV nuk ka gjetur kohën e duhur për t’i ndëshkuar këta hajdutë. Kurti premtoi gjatë fushatës së 2021-shit vetëm një gjë: “Dubrava -12 kat”. Për ata që s’e dinë, Dubrava është një burg i famshëm në Kosovë. Ky slogan robespierian -i lindur nga mungesa fatkeqe e gijotinës – joshi popullin në një votë plebishitare.

Por “hajdutët” ishin aq shumë sa Kurti e harroi premtimin e tij.

Të gjithë njerëzit që vijnë në pushtet me karta të pastërtisë morale janë të rrezikshëm. Janë të rrezikshëm sepse luajnë me karta populiste, të pisëta. E ndajnë një popul të vogël në dy  grupe  përjashtuese: “Ne” dhe “Ata.

“Ne” nënkuptohet  populli. “Ne” janë ëngjëjt që luftojnë kundër djajve. Djajtë nuk duhet as të ekzistojnë. Paçka se janë më shumë se “Ne”.

Më të rrezikshmit prej tyre janë idealistët, ata që mendojnë se vërtetë Lideri i tyre po përpiqet ta pastrojë shoqërinë nga mutërat, hajdutët, të korruptuarit, të lëkundurit, frikacakët, të shiturit te armiku. Ata vuajnë me gjithë qenien e tyre ekzistencën e të ndryshmëve nga ata. E dramatizojnë si fundin e botës faktin që Lideri nuk po kuptohet nga masa injorante dhe hajdute. Jetojnë me shpresën që do vijnë dita kur populli do të ndërgjegjësohet dhe do të kuptojnë që Lideri po vuan për Kosovën, për tokat e saj, trashëgiminë e saj, begatinë e saj, ardhmërinë e saj.

Mes tyre ka që zgjohen në mëngjes dhe e shohin me vëmendje të shtuar dukjen e Liderit: “Mu duk i dobësuar, mekankolik. Diçka po e mundon. Ia nxinë jetën të shkretit”. Rapsodët bëjnë këngë patetike, budallallëqet shiten si akte trimërie.

Një gazetare emfatike e melodramatike thur lavde neveritëse sipas së cilave:

“Lideri edhe kur e zgjat dorën e bën për të larë gojën sepse e di refuzimin. Ai është në një vetmi kozmike! (sa gjynah o Zot!)

Atij vërtetë-  thotë ajo – ATA i duken askushi!” (Kimete Berisha është gazetarja).

Çfarë patetizmi qesharak! Dhe e njëjta gazetare shpesh ka admirimin tim.

Këta janë me të vërtetë njerëz shumë të rrezikshëm. Ata jetojnë në një botë që injoron arsyen dhe faktet kundër tyre, përulësinë dhe bashkëpunimin, negociatën dhe dorën e shtrirë. Deliri megalloman dhe patetizmi i dalë mode janë cilësitë e preferuara.

Dhe të mendosh  që Kosova po jeton kohë kërcënuese. Kohë që kërkojnë bashkëpunim, përulësi, dorë të shtrirë. Të zhduken “Ne” dhe “Ata”. Të qeveriset nga mendje të ftohta e pragmatiste. Që Lideri të mos e dijë paraprakisht refuzimin e Opoziatrëve por të shkojë i përulur, siç e ka bërë në ditë të vështira, dhe të kërkojë ndihmë të sinqertë.

Opozita janë shqiptarë edhe Ata. Duan përfaqësim, vende pune, përfillje, vendimmarrje. Jo shpërfillje, injorim dhe poshtërim. Boll e kanë përjetuar poshtërimin në kohëra të errëta, tani kanë nevojë për PËRFSHIRJE.

396 mijë votat e Albin Kurtit  janë kaq pak për tu kapardisur! Një kapardisje pordhace, boshe. Sa një bajraktar i një fisi.

2.5 milionë vota mori një Parti politike në Gjermani dhe nuk mori asnjë ulëse në Parliament.  6 herë më shumë se Kurti. Sa për të kuptuar sesa pak jemi.

Ndaj nuk na ka hije të kapardisemi dhe të ndahemi në NE dhe ATA. Po çfarë ndarje shqiptaria bre…Më pak se 1 milion votues dhe  të ndarë.

Kadareja ua ka gjetë fiks emrin kapardisësve të vegjël: Ngrehalucë!