string(60) "kapetanovic-bashkepunimi-themeli-i-stabilitetit-te-ballkanit"

Kapetanoviç: Bashkëpunimi, themeli i stabilitetit të Ballkanit

Shqiperi

Gazeta Express

12/04/2025 15:29

Antalya/Sarajevë – Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, mori pjesë në Forumin e Diplomacisë në Antalya 2025, ku moderoi panelin e nivelit të lartë “Pronësia rajonale për një të ardhme të begatë në Ballkan”.

Paneli trajtoi mënyrat se si rajoni mund të forcojë integrimin përmes objektivave të përbashkëta ekonomike, sociale dhe mjedisore – pavarësisht fragmentimit global.
Në këtë diskutim morën pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviç, Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviç, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, si dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mehmet Kemal Bozay.

Lexo Edhe:

Sesioni u përqendrua në çlirimin e potencialit rajonal përmes nismave si Tregu i Përbashkët Rajonal, Strategjia Europa Juglindore 2030, Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe rritja e ndërlidhjes rajonale.

“Në një kohë kur fragmentimi global kërcënon të përçajë rajonet, Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore duhet të ecin në drejtim të kundërt – drejt një bashkëpunimi më të thellë, pronësie të përbashkët dhe besimi të ndërsjellë.

Rajonalizmi nuk duhet parë vetëm si një hap përgatitor drejt anëtarësimit në BE, por si një qëllim strategjik në vetvete – një themel për stabilitet, qëndrueshmëri dhe begati.
Përmes nismave si Tregu i Përbashkët Rajonal, Strategjia SEE 2030 dhe Agjenda e Gjelbër, ne jo vetëm që po harmonizohemi me standardet evropiane, por po ndërtojmë një rajon që funksionon më mirë për qytetarët e vet.

Rruga përpara kërkon guxim për të thyer inercinë politike, imagjinatë për të dizajnuar zgjidhje të përbashkëta, dhe mbi tëgjitha, një angazhim të ripërtërirë ndaj idesë se jemi më të fortësë bashku,” tha Kapetanoviç në Forum.

Përveç angazhimit në panel, Sekretari i Përgjithshëm Kapetanoviç zhvilloi një takim bilateral me Mihai Popșoi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Moldavisë, duke riafirmuar mbështetjen e RCC-së për rrugën e reformave të Moldavisë dhe integrimin evropian, si dhe duke shqyrtuar mënyra konkrete për thellimin e bashkëpunimit.

Në kuadër të forumit, Sekretari i Përgjithshëm Kapetanoviç u takua gjithashtu me Zëvendëskryeministrin Ibrahimoviç, Ministrin Konakoviç, Ministrin Gjuriq dhe Shefen e Divizionit për Turqinë dhe Mesdheun Lindor në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Baiba Tavaresa, për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe sfidat që paraqet zbatimi i agjendave rajonale të lehtësuara nga RCC.

Zyrtarët rikonfirmuan mbështetjen e tyre për aktivitetet e RCC-së dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

Forumi i Diplomacisë në Antalya 2025 mbledh liderë globalë, vendimmarrës dhe mendimtarë për të debatuar mbi sfidat ndërkombëtare dhe zgjidhje për një botë më të lidhur dhe më të qëndrueshme.