Kardinali Giovanni Angelo Becciu, i dënuar për krime financiare nga gjykata penale e Vatikanit në vitin 2023, po pretendon se ka të drejtë të marrë pjesë në konklavën e ardhshme për zgjedhjen e Papës, pavarësisht se është shpallur zyrtarisht “jo-elektor”.
Becciu, dikur një nga figurat më të fuqishme në Vatikan, u urdhërua nga Papa Françesku në vitin 2020 të heqë dorë nga “të drejtat dhe privilegjet” e një kardinali pas përfshirjes së tij në një skandal të madh financiar. Ai kishte mbajtur më parë pozicionin e zëvendësit në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë, një rol me autoritet të lartë dhe akses të drejtpërdrejtë te Papa.
Hetimi ndaj tij lidhej me një investim të dështuar në një pronë në Londër, që i kushtoi Selisë së Shenjtë dhjetëra milionë dollarë. Për këto akuza, Becciu u dënua me 5 vite e gjysmë burg, por ai ka apeluar vendimin dhe vazhdon të jetojë në një apartament brenda Vatikanit.
Megjithëse zyra e shtypit e Vatikanit e ka listuar si “jo-elektor”, Becciu deklaroi për një gazetë sarde se “nuk ka pasur ndonjë vullnet të qartë për të më përjashtuar nga konklava apo ndonjë kërkesë për dorëheqje të shkruar”. Vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen e tij në konklavë pritet të merret nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re, dhe kardinali Pietro Parolin.
Becciu, 76 vjeç, është ende brenda kufirit të moshës për të votuar në konklavë, pasi vetëm kardinalët nën moshën 80 vjeç kanë të drejtë vote. Aktualisht, janë 135 kardinalë të pranueshëm për të marrë pjesë në zgjedhjen e Papës së ardhshëm.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...