string(106) "kater-vrasje-ne-nje-jave-reagon-kurti-duhet-analize-profesionale-veprim-institucional-e-reflektim-shoqeror"

Katër vrasje në një javë, reagon Kurti: Duhet analizë profesionale, veprim institucional e reflektim shoqëror

Lajme

Gazeta Express

26/03/2025 9:56

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për katër vrasjet që ndodhën brenda një jave në Kosovë, duke kërkuar nga organet e ligjit angazhim maksimal.

Kurti tha se duhet të ketë analizë profesionale, veprim institucional e reflektim shoqëror, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Dua të ndaj brengën e njëjtë me të gjithë ju në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet edhe drejtësi edhe të parandalohen akte të tilla. Vrasja është akti më i rëndë njeriu-njeriut, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë në të cilën ai bënte pjesë, pra shoqërisë sonë. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, ndalet, dënohet. Duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional, reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën pikërisht në javën kur shënojmë 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë për ta ndalë gjenocidin e Serbisë dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë që synonte shfarosjen e popullit shqiptar”.

Kurti shprehi ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa tha se u qëndron pranë atyre.

“Shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe u qëndrojmë pranë në këto ditë të vështira teksa ritheksojmë kërkesën për angazhim maksimal të organeve të rendit dhe të drejtësisë”.

Katër vrasje në tri raste të ndara ndodhën brenda tri ditëve në Kosovë. Të dielën, më 23 mars, një 19-vjeçar u vra në Vushtrri nga një bashkëmoshatar i tij. Një ditë më pas, sërish në Vushtrri një burrë 58 vjeçar vrau një grua 42 vjeçare dhe më pas qëlloi edhe veten. Ndërkaq, mbrëmë më 25 mars, një burrë u vra në Prishtinë dhe një tjetër mbeti i plagosur. Ata dyshohet se u sulmuan nga dy persona të maskuar dhe të armatosur./Express/