Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Kaçanik pasi kanë dështuar ta arrestojnë 18 vjeçarin R.B. ndaj të cilit kishte pasur urdhëresë për arrest meqë ishte i dënuar për dhunim. Tash R.B. dyshohet për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika më 1 prill në Kaçanik.
Në njoftim thuhet se shefi i sektorit të operativës ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar.
Po ashtu IPK thotë se një rreshter policor i angazhuar në cilësinë e mbikëqyrësit në njësinë ndërlidhëse për gjykata, ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj.
IPK thotë se dështimi i tyre në zbatimin e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, cenon besueshmërinë institucionale dhe përbën bazë për procedim disiplinor dhe hetim të mëtejmë administrativ dhe penal.
“Nga veprimet paraprake hetimore të ndërmarra dhe komunikimet zyrtare të pranuara, ekziston dyshimi i arsyeshëm se deri në këtë fazë të hetimit, dy zyrtarë policorë kanë dështuar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe kanë treguar neglizhencë serioze në zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit të dyshuar R.B.. Nga informacioni i dokumentuar dhe i siguruar nga IPK-ja ekziston dyshimi se një toger policor në pozitën e shefit të sektorit të operativës, ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar. Gjithashtu, bazuar në veprimet hetimore dyshohet se një rreshter policor i angazhuar në cilësinë e mbikëqyrësit në njësinë ndërlidhëse për gjykata, ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj. Që të dy zyrtarët policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre kanë qenë të angazhuar me detyrë në stacionin policor të Kaçanikut. IPK vlerëson se dështimi i tyre në zbatimin e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, cenon besueshmërinë institucionale dhe përbën bazë për procedim disiplinor dhe hetim të mëtejmë administrativ dhe penal.”