Kina filloi të martën stërvitje të përbashkëta të ushtrisë, marinës dhe forcave raketore rreth Tajvanit si një “paralajmërim i ashpër kundër separatizmit” dhe e quajti presidentin tajvanez, Lai Ching-te, një “parazit”.
Ndërkohë, Tajvani dërgoi anijet e veta luftarake për t’iu përgjigjur marinës kineze që iu afrua brigjeve.
Stërvitjet përreth ishullit të qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin Kina e sheh si territorin e saj, vijnë pasi muajin e kaluar Lai e quajti Pekinin një “fuqi e huaj armiqësore”.
Kina e konsideron Lain si një “separatist” dhe, në një video që shoqëronte njoftimin për stërvitjet, ai u paraqit si një insekt i mbajtur nga një palë shkopinj të ngrënies mbi një Tajvan në flakë, duke e quajtur atë në anglisht “një parazit”.
“Fokusi është në ushtrime si patrullat e gatishmërisë luftarake në det dhe në ajër, marrja e kontrollit të gjithanshëm, goditja e objektivave detare dhe tokësorë, si dhe vendosja e kontrolleve bllokuese në zona dhe rrugë kyçe”, tha Komanda e Teatrit Lindor në një deklaratë.
Qeveria e Tajvanit i dënoi stërvitjet, me zyrën presidenciale që tha se Kina ishte “e njohur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar si një burim problemesh” dhe se qeveria ka besimin dhe aftësinë për t’u mbrojtur vetë.
Qeveria tajvaneze i hodhi poshtë pretendimet e Pekinit për sovranitet, duke thënë se vetëm populli i ishullit mund të vendosë për të ardhmen e tij.
Dy zyrtarë të lartë të Tajvanit i thanë Reuters se më shumë se dhjetë anije ushtarake kineze iu afruan zonës së afërt të Tajvanit dhe se Tajvani dërgoi anijet e veta luftarake për të reaguar.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha në një deklaratë se grupi i aeroplanmbajtëses kineze Shandong kishte hyrë në zonën e reagimit të ishullit të hënën, duke shtuar se kishte dërguar avionë dhe anije ushtarake dhe kishte aktivizuar sistemet raketore tokësore për t’iu përgjigjur.
Stërvitjet u zhvilluan pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u largua nga rajoni pas vizitave në Japoni dhe Filipine, ku kritikoi Kinën dhe tha se Japonia ishte “e pazëvendësueshme” për përballimin e agresionit kinez.
Një zyrtar i lartë i sigurisë në Tajvan i tha Reutersit, duke cituar vlerësime të brendshme, se Pekini kishte nevojë të shmangte çdo “përplasje të perceptuar” me Uashingtonin përpara bisedimeve tregtare SHBA-Kinë, dhe për këtë arsye Tajvani ishte bërë një pretekst.
“Tajvani është justifikimi më i mirë për ta. Prandaj ata zgjodhën të nisin këto stërvitje ushtarake sapo sekretari amerikan i mbrojtjes u largua nga Azia”, tha zyrtari.
Ambasada de facto e SHBA-së, Instituti Amerikan në Tajvan, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin ishullin.
“Edhe një herë, Kina ka treguar se nuk është një aktor i përgjegjshëm dhe nuk ka problem të vërë në rrezik sigurinë dhe prosperitetin e rajonit”, tha një zëdhënës./REL/