Në një botë ku teknologjia po e sfidon natyrën njerëzore çdo ditë, Elon Musk ka bërë një tjetër parashikim tronditës: robotët, thotë ai, do të tejkalojnë edhe kirurgët më të shkathët brenda pesë viteve të ardhshme.
Njeriu pas Tesla-s, SpaceX dhe Neuralink-ut, bëri këtë deklaratë në rrjetin X, duke reaguar ndaj një postimi nga sipërmarrësi Mario Nawfal, që komentonte për testet e fundit të sistemeve robotike kirurgjikale.
“Mendoj se, brenda pak vitesh, robotët do të jenë më të mirë se kirurgët mesatarë. Dhe, brenda pesë vitesh, më të mirë se më të mirët ndër kirurgë,” shkroi Musk, duke sinjalizuar një epokë të re për mjekësinë, përcjell albinfo.ch.
Teknologjia që po e mund dorën e njeriut
Në fokus të diskutimit ishte një robot i quajtur “Hugo”, i zhvilluar nga kompania mjekësore Medtronic. Ai u testua në 137 operacione reale, duke përfshirë ndërhyrje të ndërlikuara në prostatë, veshkë dhe fshikëz. Rezultatet? Të mahnitshme: norma minimale e ndërlikimeve dhe një përqindje suksesi prej 98.5%.
Për Elon Musk, ky është vetëm fillimi. Ai kujton se edhe kompania e tij, Neuralink, është e varur nga saktësia e robotëve për implantimin e elektrodave në tru. “Saktësia e nevojshme është e paarritshme për njeriun,” thotë ai, duke e bërë të qartë se robotika nuk është më thjesht ndihmëse, por domosdoshmëri.
Njerëz dhe makineri – bashkë, përkohësisht
Nawfal, nga ana e tij, paralajmëron se, pavarësisht suksesit, nuk duhet pritur një zëvendësim i menjëhershëm i mjekëve me makina. Në vend të kësaj, ai sheh të ardhmen si një bashkëpunim midis kirurgëve dhe “asistentëve metalikë shumë të shtrenjtë”, siç i quan ai robotët.
Vetëm dy nga 137 operacionet përfunduan me ndërhyrje të plotë njerëzore – një për shkak të një defekti teknik dhe një tjetër për shkak të komplikacioneve specifike te pacienti.
Po i afrohemi një epoke ku kirurgjia nuk do të jetë më një art vetëm njerëzor, por një simfoni precize e teknologjisë dhe algoritmeve. A është kjo një përparim që duhet përqafuar, apo një paralajmërim për të ardhmen? Për momentin, mbetet një pyetje pa përgjigje, por që po bëhet gjithnjë e më urgjente.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...