string(61) "komandanti-i-kfor-it-takon-shefin-e-ushtrise-serbe-ne-beograd"

Komandanti i KFOR-it takon shefin e ushtrisë serbe në Beograd

Lajme

Gazeta Express

29/04/2025 19:35

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani, është takuar të martën me shefin e stafit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd.

Takimi në kryeqytetin e Serbisë erdhi rreth pesë muaj pas një takimi paraprak të këtyre dy palëve, në tetor të vitit 2024.

Lexo Edhe:

KFOR-i nuk dha detaje se për çfarë u diskutua në këtë takim, por vetëm shkroi në X se “ata shkëmbyen mendime mbi situatën e sigurisë dhe bënë një vlerësim të përpjekjeve të tyre përkatëse”.

Ndërkohë, në uebfaqen e forcave të armatosura të Serbisë u tha se shefi i ushtrisë serbe i kërkoi komandantit të KFOR-it të sigurojë “ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë, veçanërisht për komunitetin serb”.

Sipas deklaratës së publikuar nga ushtria serbe, palët u dakorduan se situata e sigurisë në Kosovë mbetet “jostabile dhe e ndjeshme”.

“Kontaktet e rregullta në të gjitha nivelet si dhe aktivitetet e përbashkëta duhet të vazhdojnë për të ulur tensionet në terren dhe për të parandaluar përshkallëzimin e krizës”, thuhet në atë deklaratë.

KFOR-i tha se ky takim ishte pjesë e takimeve të rregullta të komandantit të KFOR-it me bashkëbiseduesit e tij kryesorë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë vizitës në Beograd, ai takoi edhe përfaqësuesit diplomatikë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në Serbi.

“Ai i informoi ata për aktivitetet e KFOR-it dhe për bashkëpunimin e misionit me bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen e palëkundur për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga KFOR-i.

NATO ka mision paqeruajtës në Kosovë që nga përfundimi i luftës, më 1999.

Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë mbi 4.600 trupa nga 29 vende të botës që janë të dislokuar në Kosovë. Numri më i madh i tyre është nga Italia, pasuar nga Shtetet e Bashkuara, Hungaria dhe Turqia.

Ky mision e ka shtuar praninë në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. /REL