string(119) "komiteti-per-pune-te-jashtme-i-pe-miraton-raport-per-kosoven-kerkojne-heqjen-e-masave-po-pengojne-rifillimin-e-dialogut"

Komiteti për Punë të Jashtme i PE miraton raport për Kosovën, kërkojnë heqjen e masave: Po pengojnë rifillimin e dialogut

Lajme

Gazeta Express

09/04/2025 12:24

Eurodeputetët e Komisionit për Punë të Jashtme miratuan të martën një raport për progresin e Kosovës në vitin 2023 dhe 2024 drejt anëtarësimit në BE, të cilin e publikuan sot.

Autori i këtij raporti është eurodeputeti Riho Terras, i cili është raportues për Kosovën në Parlamentin Europian, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Në këtë raport, eurodeputetët kanë bërë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se Kosova ka plotësuar kriteret për heqjen e tyre dhe se duke i mbajtur ato në fuqi po pengohet rifillimi i dialogut.

“Duke bërë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së kundër Kosovës, të cilat nuk justifikohen më pasi Kosova ka përmbushur kërkesat e BE-së, eurodeputetët nënvizojnë se masat janë në kundërshtim të madh me përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave europiane dhe po pengojnë rifillimin e dialogut Beograd-Prishtinë në mirëbesim”.

Po ashtu, në këtë raport i bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit. Për Kosovën thonë se duhet të themelojë Asociacionin, ndërsa Serbia të mos e pengojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Duke theksuar se dialogu nuk ka dhënë rezultatet e pritura, eurodeputetët i kërkojnë Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe heqjen e kundërshtimit të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Të dy vendet duhet gjithashtu të shmangin veprimet e njëanshme që mund të dëmtojnë procesin e dialogut”.

Në këtë raport gjithashtu thuhet se “Kosova ka bërë përparime të dukshme në reformat zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore”, theksojnë eurodeputetët, por sfida mbeten në reformën gjyqësore, lirinë e mediave, efikasitetin e administratës publike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike”, thuhet në raportin e Komisionit për Punë të Jashtme i miratuar të mërkurën me 48 vota pro, 19 kundër dhe 6 abstenime.

Ndërkaq, është lavdëruar përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në BE.

“Vendosmëria e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian ka qenë konstante dhe të gjitha përpjekjet për ta nxjerrë Kosovën nga ‘zona gri’ janë në interes të Kosovës dhe BE-së”, theksojnë eurodeputetët në raport.

Ata mbështesin plotësisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, synimin e saj strategjik për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe aplikimet e saj për t’iu bashkuar organizatave të tjera ndërkombëtare.

‘Duke vënë në dukje se angazhimi i fortë politik është i nevojshëm për të krijuar një histori solide në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, eurodeputetët mirëpresin përparimin e bërë në gjykimin e rasteve të korrupsionit. Ata gjithashtu i bëjnë thirrje Kosovës që të vazhdojë të përmirësojë kapacitetet e Prokurorisë Speciale për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar”.

Ndërkaq, raportuesi Riho Terras tha: “Është e qartë se procesi i integrimit të Kosovës ka nevojë për një moment të ri – ne kemi nevojë për një kapitull të ri në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që në peizazhin politik të Kosovës, të gjitha partitë kryesore janë fuqimisht në favor të integrimit në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen europiane të bazuar në agjendën e reformës dhe ne do të punojmë së bashku”.