string(91) "koreja-e-veriut-ne-luften-e-ukraines-putin-shperthen-ne-lavdata-per-ushtaret-koreanoveriore"

Lajme

Gazeta Express

28/04/2025 9:55

Koreja e Veriut në luftën e Ukrainës: Putin shpërthen në lavdata për ushtarët koreanoveriorë

Lajme

Gazeta Express

28/04/2025 9:55

Presidenti rus Vladimir Putin falënderoi sot liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për, siç tha ai, “heroizmin e luftëtarëve koreanoveriorë” që morën pjesë në betejat kundër forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, një territor që Moska pretendon ta ketë rimarrë plotësisht.

“Koreanët tanë miq vepruan të shtyrë nga ndjenja e solidaritetit, drejtësisë dhe vëllazërisë së vërtetë. Ne e vlerësojmë shumë këtë dhe i jemi sinqerisht mirënjohës shokut Kim Jong Un dhe popullit të Koresë së Veriut,” tha Putin, sipas një deklarate të Kremlinit.

Lexo Edhe:

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ruse, Valery Gerasimov, deklaroi të shtunën se Kursku është “çliruar plotësisht” nga forcat ukrainase, të cilat kishin hyrë në atë rajon në gusht të vitit 2024.

Pjesëmarrja e Koresë së Veriut në luftë konfirmohet për herë të parë

Ky është hera e parë që Moska pranon zyrtarisht përfshirjen e ushtarëve koreanoveriorë në konflikt. Agjencia shtetërore koreane KCNA raportoi sot se Koreja e Veriut ka dërguar trupa në Rusi për të ndihmuar në rimarrjen e territoreve në Kursk, të cilat për muaj të tërë kanë qenë nën kontrollin e ushtrisë ukrainase.

Megjithatë, autoritetet ukrainase deklaruan të dielën se luftimet në territorin rus vazhdojnë ende.

Putin lavdëroi “heroizmin, nivelin e lartë të trajnimit special dhe përkushtimin” e ushtarëve koreanoveriorë që morën pjesë në betejat në Kursk, duke thënë se ata “mbrojtën atdheun rus sikur të ishte i tyre”.

“Populli rus nuk do ta harrojë kurrë heroizmin e forcave speciale të Koresë së Veriut,” shtoi ai, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet mes Moskës dhe Phenianit do të vazhdojnë të forcohen fuqishëm në të gjitha fushat.

Marrëveshja e aleancës ushtarake mes Rusisë dhe Koresë së Veriut

Në qershor 2024, Rusia dhe Koreja e Veriut nënshkruan një marrëveshje partneriteti strategjik që parashikon ndihmë ushtarake të ndërsjellë në rast sulmi ndaj njërës prej tyre.

Prej muajsh, Ukraina, Koreja e Jugut dhe vendet perëndimore kanë denoncuar përfshirjen e mijëra ushtarëve koreanoveriorë në luftën në Ukrainë, një fakt që deri tani Moska dhe Pheniani e kishin mohuar.