Komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos ka deklaruar se kërkesat e studentëve dhe protestuesve në Serbi janë të njëjta me ato që kërkon Komisioni Evropian nga Serbia, përkatësisht reforma urgjente, kryesisht në legjislacionin zgjedhor dhe mediatik, si dhe krijimin e një rregullatori për mediat elektronike.
Marta Kos ka thënë në një intervistë për N1 slloven, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka dhënë garanci për këtë në një takim në Bruksel.
Duke thënë se ishte e mahnitur nga energjia e protestuesve në Serbi për të ndryshuar rrethanat me të cilat nuk ishin të kënaqur, Marta Kos ka thënë se ia kishte shprehur protestën e saj Vuçiqit për përdorimin e dhunës dhe frikësimin e organizatave joqeveritare.
Ajo ka thënë se shpresob se hetimi para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut do të tregojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në protestën e 15 marsit në Beograd, sepse po marrin informacione krejtësisht të ndryshme.
“Kam informacione të dorës së parë, nga OJQ-të, të cilat më kanë informuar saktësisht se çfarë ka ndodhur”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, Serbia është në stagnim dhe duhet të ndërmarrë shumë hapa për të vazhduar negociatat.
Komisioni Evropian kërkon reforma urgjente nga Serbia dhe afati për hapa urgjent është tre deri në katër javë, ka thënë Marta Kos, e cila në intervistë shpjegoi gjerësisht se si ndodhi që katër ditë pas protestës historike në Beograd, takimin me Vuçiqin në llogarinë e saj në “X” e cilësoi si konstruktiv, gjë që shkaktoi reagime të nxehta.
Marta Kos ka thënë se në kabinetin e saj janë 16 persona, se është punë ekipore dhe se e kupton që njerëzit nuk pajtohen me njoftimin.
“Por kërkoj gjithashtu mirëkuptimin tuaj, që të mos e gjykoni punën time në bazë të 280 germave. Detyra në të cilën jam duke punuar dhe në të cilën kam punuar gjatë bisedës me presidentin Vuçiq, është t’i mundësoj Serbisë të zbatojë reformat, të cilat janë të nevojshme për të vazhduar negociatat që kanë ngecur prej disa kohësh”, ka thënë ajo, duke përmendur se përgjegjësia e saj është që ta kthejë Serbinë në rrugën evropiane në të cilën ka qenë disa muaj të kaluar.
“Dhe unë gjithmonë do të angazhohem për të folur me politikanët, me ata njerëz që mund të bëjnë diçka. Më tregoni se me kë mund të flasim në Serbi në këtë moment, për të arritur reformat, dhe gjithçka që kërkohet nga protestuesit, studentët dhe opozita. Kjo ishte tema e bisedës sime me presidentin Vuçiqin. Serbia nuk ka qeveri në këtë moment, i kam thënë se ka ngecur, se ajo duhet të bëjë shumë hapa në mënyrë që të vazhdojmë me negociatat”, ka thënë Kos, përcjell Paparaci.
Ajo ka përmendur mediat dhe ligjet zgjedhore si ato hapa, dhe gjithashtu i ka përmendur masat e këqija të qeverisë serbe ndaj përfaqësuesve të organizatave joqeveritare.
Sipas saj, gjatë gjithë ngecjes së negociatave me Serbinë ka qenë në kontakt me organizata joqeveritare, “me disa jam takuar dhe këtë e kam njoftuar publikisht, ndërsa me disa kam qenë në kontakt dhe nuk është njoftuar sepse ata kanë kërkuar që të mos e bëjë këtë për të mos i rrezikuar”.
“Unë ia shpreha protestën time presidentit Vuçiq për dhunën dhe frikësimin e organizatave joqeveritare. Si mund ta bëj ndryshe këtë veçse të takohem me të dhe t’ia them hapur. Të gjithë ata që tani po më kritikojnë për takimin me Vuçiqin, nga ana tjetër, kërkojnë nga Komisioni Evropian të negociojë me Putinin, ka thënë Marta Kos.”
“Kërkesat e studentëve, të protestuesve dhe të gjithë të tjerëve mund të bëjnë që populli serb të zgjedhë presidentin dhe qeverinë e vet. BE-ja nuk është ajo që emëron kryeministrat dhe krerët e shteteve. Kështu që fati i Serbisë është në duart e popullit serb dhe shpresoj se energjia që tani po grumbullohet atje do të çojë në zbatimin e reformave të nevojshme që po zbatohen nga ana e Komisionit Evropian”.
Duke vënë në dukje se një nga kushtet që një vend të bëhet anëtar i BE-së është përputhja 100% me sigurinë dhe politikën e jashtme evropiane, Marta Kos ka thënë se Serbia aktualisht është në 65%, dhe katër vende janë 100% në përputhje, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Flirtimi me Moskën sigurisht nuk është diçka që mund ta ndihmojë Serbinë në këtë rrugë. Dhe sigurisht që nuk do ta ndihmojë Serbinë në atë rrugë, nëse presidenti Vuçiq shkon në një paradë ushtarake në Moskë më 9 maj. Mos u shqetësoni, ne po i regjistrojmë të gjitha këto dhe do t’i kujtojmë të gjitha, dhe kjo do të ndikojë në vlerësimin tonë të procesit”, ka thënë Marta Kos.