Dita e Evropës shënohet sot edhe në vendin tonë. Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova në vazhdimësi ka lëvizur në drejtim të integrimeve evropiane, çka edhe janë synimet e saj. Megjithëkëtë, njohës të procesit të integrimeve evropiane, vlerësojnë se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropianë është e gjatë dhe mjaftë sfiduese.
Deklarata e 9 majit e vitit 1950, me të cilën kryediplomati i Francës, Robert Schuman, i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve tjera evropiane për t’i bashkuar prodhimet e qymyrit dhe çelikut, vlerësohet si nisma themeltare e krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.
Data 9 maj është shpallur dhe festohet si Dita e Evropës, që nga vitit 1985, kur në Samitin e Milanos, krerët e BE-së morën vendim të tillë.
Që nga shpallja e pavarësisë, Dita e Evropës shënohet edhe nga Kosova, e cila synon integrimet dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Me qëllim të përafrimit, Kosova dhe Bashkimi Evropianë nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, në tetor të 2015-tës. Në maj të 2022-tës, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ndërsa, në dhjetor të të njëjtit vit aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke folur për Radio Kosovën, profesori i integrimeve evropiane,
Dritëro Arifi, thotë se Kosova është larg integrimit evropianë. Edhe
marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE- është proces i
vështirë, thotë Arifi, që këtë e ndërlidhë edhe me shtetet
mosnjohjëse.
“Aplikimi i Kosovës ende nuk do të jetë prioritet, për shkak të
mosmarrëveshjeve politike apo mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet
anëtare të Bashkimit Evropianë. Kjo e komplikon komplet situatën. Kosova
në parim i plotëson kushtet për të pasur statusin e vendit kandidat.
Por, për tu integruar në BE, rruga është shumë e gjatë. Kemi të bëjmë
edhe me zbatimin e ligjeve”, tha ai.
Edhe politologia Arta Tahiri-Beqa, thotë se Kosova është larg integrimit në Bashkimin Evropianë dhe organizata tjera evropiane.
“Për momentin, fatkeqësisht, nga të gjitha shtetet e Ballkanit, Kosova
qëndron më së largu në fushën e integrimeve, apo të arritjeve reale
drejt integrimit evropianë. Ne e festojmë Ditën e Evropës. Jemi
pothuajse nga ato pak shtet që edhe e festojmë edhe nuk punojmë këtë
ditë, por që, fatkeqësisht jemi shumë larg procesit të integrimit
evropianë”, tha Tahiri-Beqa.
Ndonëse Kosova është larg me integrimet evropiane, për shkak edhe të pengesave politike, 9 Maji – Dita e Evropës shënohet si festë zyrtare.