Kryetari PDK-së, Memli Krasniqi, e ka pritur sot në zyrat e partisë, kreun e OVL-UÇK-së, Hysni Gucatin. Kransiqi ka treguar se me Gucatin kanë biseduar për sfidat me të cilat po përballen kategoritë e dala nga lufta.
Gjithashtu në takim është folur edhe për rëndësinë e bashkëpunimit reciprok në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së.
“Sot, bashkë me anëtarët e Kryesisë, Jakup Nura dhe Rrahman Rama, pata kënaqësinë të pres në takim drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të prirë nga kryetari Hysni Gucati. Diskutuam hapur për sfidat me të cilat përballen sot kategoritë e dala nga lufta dhe theksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për të mbrojtur dhe forcuar vlerat e luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Krasniqi.
“Ua shpreha mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike të Kosovës për kërkesat e tyre, duke i vlerësuar si legjitime e të drejta, dhe rikonfirmova përkushtimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të kategorive të dala nga lufta.PDK ka qenë dhe do të mbetet shtëpia politike e luftëtarëve të lirisë!”, thuhet tutje.