Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ndien keqardhje për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës ku edhe sot dështoi të zgjidhet kryeparlamentare e propozuara e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.
“Shpreh keqardhjen për këtë tallje që po bëhet nga ana e partisë së parë e cila edhe sot për tetën herë sillet me mentalitetin e njëjtë. Demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim. Institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politikë të veçantë. Duhet ta kuptojnë të gjithë që koha e sundimit njëpartiak dhe e monizmit ka përfunduar. Sa më parë që t’i kuptojë Lëvizja Vetëvendosje këto tri çështje aq më mirë për vendin”.
Krasniqi tha se është e tepërt “që të sillemi këtu çdo dy ditë duke pritur që t’i thirrin arsyes dhe të propozojnë një kandidat apo kandidate që merr shumicën e deputetëve të Kosovës”.
“Po e përsëris: Po i takon Vetëvendosjes të propozojë, por s’mund t’i kërkojë votat me zor. Ky mentalitetit i imponimit dhe i preisonit e nënshtrimit duhet të marrë fund”.
“Në emër të PDK-së shpreh keqardhjen më të madhe në drejtim të qytetarëve për këtë situatë dhe tallje që po ebën me të gjithë si partia që me qëllim po e mban të bllokuar Kuvendin e Kosovës”, tha Krasniqi pas seancës./Express/